Gjykata e Hagës, gjykimi i Haradinaj më 13 shkurt 2012

Tribunali i Hagës për krime të luftës vendosi të premten që gjykimi i Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lah Brahimajt të vazhdoj më 13 shkurt të vitit 2012. Ndërkohë,
Prokuroria duhet të dërgojë informatat mbi dëshmitarin e mbrojtur “80”, me dëshminë e të cilit do të duhej të përfundonte procedura e dëshmive, ndaj dhe kryetari i trupit gjykues Bacone Moloto la mundësinë që data e vazhdimit të gjykimit të ndërrohet.
Në seancën e zhvilluar sot, mbrojtësi i Haradinajt, avokati Ben Emerson njoftoi se nuk dëshiron më t`i shtrojë pyetje dëshmitarit të mbrojtur me pseudonimin “81”. As gjykatësit, as përfaqësuesit e Prokurorisë nuk patën pyetje shtesë për këtë dëshmitar.
Marrja në pyetje e këtij dëshmitari u karakterizua me replika të shpeshta të dëshmitarit dhe të avokatëve të mbrojtjes, kryesisht në seanca të mbyllura për opinionin.
Avokati mbrojtës disa herë e akuzoi dëshmitarin se gënjen dhe shpik, kurse ky i kundërpërgjigjej me fjalët “i paedukuar”, “gënjeshtar”, madje në disa raste edhe e shau avokatin mbrojtës.
Sipas këtij dëshmitari, ai ka parë Haradinajn duke marrë në pyetje dy djelmosha rom dhe një të ri serb, kurse pas rrahjes së tyre ka urdhëruar të vriten.
Dëshmitari, i cili fliste në gjuhën serbe, tha se ka qenë dëshmitar kur trupat e tre të burgosurve janë hedhur në liqenin e Radoniqit.