E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Irakut ratifikoi rezultatin e zgjedhjeve

Gjykata Supreme e Irakut ka ratifikuar sot rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, të cilat u zhvilluan më 7 mars, duke e shpallur edhe zyrtarisht si fituese të zgjedhjeve aleancën sekulare, Iraqiya.

Kumtesa e bërë në televizion, nga ana e gjykatësit më të lartë të Gjykatës, shënon hapin e parë të madh drejtë zgjidhjes së krizës zgjedhore në Irak dhe për fillimin e punës të parlamentit të ri të vendit.

Por paraliza e qeverisë as për së afërmi nuk ka përfunduar dhe do të nevojiten javë, ndoshta edhe muaj, para se ligjvënësit të jenë në gjendje të zgjedhin udhëheqësit e ri.

Zgjedhjet në mars e lanë Irakun pa një fitues të qartë, pasi që asnjëra nga gjashtë koalicionet e mëdha politike në Irak nuk fitoi shumicën në parlamentin më 325 ulëse.

Konfuzioni rezultoi me rinumërimin gati tremujor të votave, me akuza për manipulim dhe me padi në gjykata.

Pothuajse të gjitha paditë u ngritën nga Aleanca e Ligjit, e kryesuar nga kryeministri i Irakut, Nuri Al Maliki.

Aleanca Iraqiya, e cila u mbështet edhe nga pakica sunite, kryesohet nga ish-kryeministri Ayad Allavi, një shiit sekular. Iraqiya ka fituar 91 ulëse, dy më shumë se Aleanca e Ligjit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›