E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë, dështon seanca e parë për “Gërdecin”



E deklaruar edhe më parë, seanca e parë për çështjen e bujshme “Gërdeci” ishte e destinuar për t’u shtyrë. Gjykata e Lartë hapi dhe shtyu dje seancën e parë gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve dhe shoqërisë “Albademil”, të akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit, duke caktuar datën 12 maj për seancën e radhës. Kanë qenë disa arsyet që detyruan kryetarin e Kolegjit Penal, Besnik Ymeraj, për ta shtyrë këtë seancë të parë. Mungesa e të pandehurit Shkëlzen Madani dhe avokatit të tij, Hysni Beti, ky i fundit për arsye shëndetësore; ngatërresa e të pandehurit Dritan Minxholli në deklaratën e ardhur nga burgjet, ku autorizonte avokatin e tij për ta mbrojtur në seancë, por që ishte e nënshkruar me ermin Artan dhe jo Dritan; mungesa e prokurës nga ana e avokatëve për të pandehurit, gjeneral Agim Lala, i cili ndodhej jashtë territorit shqiptar dhe Fahri Toska, edhe ky i hetuar në mungesë, kanë qenë katër arsyet që e detyruan Kolegjin Penal ta shtyjnë këtë seancë të parë. Kjo seancë u deklarua e hapur, por pa praninë e kamerave apo aparateve fotografikë, ndonëse ishte deklaruar e kundërta deri mëngjesin e djeshëm. Në sallën e gjyqit, më e madhja që ndodhet në Gjykatën e Lartë, pjesa më e madhe e sallën u mbush me avokatët dhe të pandehurit në gjendje të lirë, të cilët ishin të pranishëm në këtë proces gjyqësor. I vetmi i pandehur i pranishëm në sallën e gjyqit ishte Sokol Ngjeçi, ndërsa tre të pandehurit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli nuk kanë preferuar të paraqiten, duke deklaruar me prokura të posaçme dhe deklarata nga burgu se duan të përfaqësohen nga avokatët. Në sallë dje kanë qenë të pranishëm edhe familjarë të të prekurve nga tragjedia e Gërdecit, të cilët përmes avokates së tyre, Blerta Kraja, janë pjesë e këtij procesi me anë të një padie civile. Gjithashtu, të pranishëm, por ende të palegjitimuar ishin edhe përfaqësues nga Avokati i Shtetit, të cilët kërkojnë nga shoqëria “Albademil” të dëmshpërblejë shtetin me shumën e paguar për familjet e prekura nga tragjedia. Por, askush nga palët e tjera në proces nuk pati mundësi të legjitimohet dje, pasi katër arsyet e theksuara më lart çuan në dështimin e seancës së parë. Ndërkohë që nga të gjithë gjeneralët e akuzuar, në sallë ndodhej vetëm ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili deklaroi para Kolegjit Penal se do të mungonte në seancat e radhës dhe do të përfaqësohet në mungesë me avokatin e tij, Ibrahim Lahi. Edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka preferuar të dërgojë dy avokatët e tij, të cilët do ta përfaqësojnë atë edhe në mungesë. Palët nuk mundën të legjitimoheshin, mes të cilëve edhe grupi i prokurorëve që u morën me hetimin e çështjes, të cilët ishin të gjithë të pranishëm së bashku me hetuesit e tyre. Sokol Stojani, Arben Dollapi, Arqile Koca, Alfred Progonati, si edhe Kujtim Luli, deklaruan se gjatë seancave në vazhdim nuk do të jenë domosdoshmërish të pranishëm, dhe do jenë ata grupi i cili do të përfaqësojë akuzën e shtetit shqiptar në procesin më të bujshëm të viteve të fundit. Nga 29 të pandehurit, Zenun Ferro ishte i vetmi i pandehur që nuk pranoi të mbrohet në këtë proces me avokat, por ka kërkuar të vetëmbrohet. Ngjarja për të cilën akuzohen 29 të pandehurit si dhe vetë shoqëria “Albademil”, ka ndodhur më 15 mars të vitit të kaluar, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

Somario

Zenun Ferro ishte i vetmi i pandehur që nuk pranoi të mbrohet në këtë proces me avokat, por ka kërkuar të vetëmbrohet

Të pandehurit në gjendje të lirë

1. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes

2. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit

3. Agim Lala, ish-zëvendësshef i Shtabit

4. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar

5. Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse

6. Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes

7. Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit

8. Ardian Mullahi, ish-sekretar i përgjithshëm i ministrisë

9. Adriatik Mema, ish-sekretar i përgjithshëm i ministrisë

11. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit

11. Dashnor Çaushaj, kryetar i komisionit të kategorizimit të municioneve

12. Zenun Fero, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

13. Hysni Coçka, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

14. Hilmi Laçaj, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

15. Fari Toska, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

16. Rezart Tërshana, anëtar i komisionit të çmimeve të fishekëve

17. Besnik Dauti, anëtar i komisionit të çmimeve të fishekëve

18. Agim Babameto, anëtar i komisionit të çmimeve të fishekëve

19. Fiqiret Mato, drejtor i uzinës mekanike Gramsh

20. Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan

21. Gëzim Oshafi, anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve të rënda

22. Denis Hajdari, anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve të rënda

23. Jorgo Mino, anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve të rënda

24. Fatbardh Kuçi, anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve të rënda

25. Juliana Margariti, ekonomiste, shefe finance te MEICO

26. Firma “Albademil”, me pronar Mihal Delijorgjin

Të pandehur në burg

27. Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s

28. Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë “Albademil”

29. Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë “Albademil”

30. Sokol Gjeçi, ish-punonjës i ndërmarrjes shtetërore MEICO

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›