Papavrami luan himnin e Evropës
Për violinistin Tedi Papavrami, është hera e parë që vjen në Tiranë prej një ftese zyrtare, nga një institucion publik. Zyrtare ka qenë dhe ftesa e vjetshme nga orkestra e RTSH-së, por si duket koncerti që e fton këtë herë në Shqipëri ndoshta do të përmbushë një nga “ankesat” e tij të vazhdueshme - se nuk ka pasur prej 18 vitesh oferta serioze nga Tirana, dhe se do t’ju përgjigjej në cilindo moment.
Më 9 maj, është momenti, ku ai do të jetë në Teatrin e Operës dhe Baletit për të dhënë një koncert në rastin e ditës së Evropës, i shoqëruar nga orkestra simfonike TKOB-it, nën drejtimin e dirigjentit grek, Alkis Baltas.
“Udhëtim muzikor nëpër Evropë” quhet koncerti, i cili do të hapet me himnin e Shqipërisë dhe atë të Evropës luajtur nga orkestra, më pas kjo orkestër do ta shoqërojë violinistin në uvertura të autorëve shqiptarë. Në program janë edhe vepra muzikore nga Beethoven, Chausoon, Dvorak, Sarasate dhe Paganini për violinë dhe orkestër ose vetëm për orkestër. Në fillim të këtij viti, Papavrami ka nisur sezonin koncertal në Prishtinë, duke u rikthyer pas dy vitesh, nga koncerti që ka mbajtur me Filarmoninë, ndërsa është prezantuar me koncert solistik. Të bie në sy tek ky koncert i violinistit në Tiranë, që do të shoqërohet me orkestër. Në fakt kjo është “ëndrra” e Papavramit, për të cilën jo pak është shprehur se qendra e jetës muzikore e një vendi nuk janë solistët por orkestrat.
Duke qenë vetë pjesë e atyre zhvillimeve që ndodhin në Evropë, Papavrami e ka treguar formimin e orkestrave si një rrugë e vështirë, por më të mirën, pavarësisht se prioritetet ekonomike nuk janë në këtë fushë. “Duhen salla pune, koncerte të mira, rroga për muzicientë, përzgjedhje e mençur e dirigjentëve që do të punojnë me orkestrën dhe një dozë ideali nga vetë muzicientët, sepse ndodh shpesh që të gjitha këto nuk mjaftojnë. Fatkeqësisht sot muzika klasike, edhe në qytetet më me traditë në Evropë, jeton në shumicën e rasteve në sajë të sponsorëve dhe ndihmave shtetërore. Ne një shoqëri ideale muzika, letërsia, dhe artet figurative duhet të ishin në epiqendër të jetës së një qyteti”. Ndërsa për emocionet që po e ndjekin violinistin në koncerte gjithnjë lidhen me natyrën e tij idilike, pak të tërhequr, larg të qenit i famshëm, dhe rebelues i komercializmit.