Berisha: Korrupsioni vrau katër policët

Kryeministri Berisha hodhi akuza të rënda dje ndaj strukturave të Policisë së Shtetit gjatë analizës vjetore të saj
Kryepolici Burgaj paralajmëroi strategji të re të luftës ndaj krimit të pronës për shkak të efektivitetit të ulët në këtë drejtim
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha cilësoi dje vrasjen e katër efektivave të policisë në Durrës në gusht të vitit që kaloi, si një krim i shkaktuar për shkak të korrupsionit në radhët e uniformave blu.
Kreu i qeverisë e bëri këtë cilësim dje në analizën vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke qenë i vetmi zyrtar i lartë që përmendi gjatë analizës ngjarjen e rëndë të gjashtë muajve më parë, duke ia faturuar krimin korrupsionit në strukturat e Policisë së Shtetit.
Duke sjellë si shembull krimin ndaj katër efektivave të policisë gjatë arrestimit të të shumëkërkuarit Dritan Dajti, kryeministri theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të zhvendoset në një nivel edhe më të lartë.
"Është korrupsioni ai që shërbeu si kusht kryesor për vrasjen barbare të katër oficerëve të policisë në ngjarjen e Durrësit. Ishte inspektori i policisë ai që i jepte mbulesë terroristit Dritan Dajti duke u bërë bashkëfajtor apo dhe më shumë kriminel se sa ai.
Rasti në fjalë dëshmon se kjo luftë duhet të zhvendoset në një nivel edhe më të lartë. U dhashë këtë shembull për të ilustruar këtu se sa jetike është lufta kundër korrupsionit",- u shpreh kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në analizën për vitin 2009, të Policisë së Shtetit, lëshoi kritika të ashpra ndaj strukturave blu edhe për numrin e lartë të aksidenteve, të shkaktuara sipas tij edhe nga indiferenca e policisë rrugore për të respektuar ligjin.
Burgaj: ndryshim strategjisë së krimit ndaj pronës
Para se shefi i ekzekutivit të merrte fjalën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, prezantoi rezultatet e punës për vitin 2009 të strukturës që ai drejton prej gati katër muajsh.
Kryepolici Burgaj, gjatë fjalës së tij, ngriti si shqetësim krimet ndaj pronës, që mbeten një problem i madh në të gjithë vendin, duke paralajmëruar dhe një ndryshim të strategjisë së luftës kundër krimeve ndaj pronës gjatë vitit 2010.
Sipas numrit një të policisë, gjatë vitit 2009 janë goditur 142 grupe kriminale, nga të cilët 64 për krime të rënda kundër personit e pronës, 31 për luftën kundër narkotikëve, 23 për trafiqe të paligjshme dhe 24 për vepra penale në fushën e krimeve ekonomike, ndërkohë që krahasuar me vitet e tjera numri i vrasje ka pësuar ulje. Kështu gjatë vitit që kaloi kanë ndodhur 79 vrasje, ku nëntë prej tyre kanë mbetur pa autor.
Në listën e 79 vrasjeve të ndodhura në Shqipëri gjatë vitit 2009 bën pjesë dhe ekzekutimi i deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, i vrarë në maj të këtij viti, që kaloi pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit, vrasje e cila vazhdon akoma të mbetet pa autor.
Pavarësisht se kjo e fundit është një nga dy ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në territorin e vendit gjatë vitit të kaluar, askush nuk u kujtua të përmendte vrasjen e deputetit socialist në pragun shtëpisë së tij në qytezën e vogël të Roskovecit në qarkun e Fierit.
Gjatë vitit 2009 strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Shtetit kanë goditur 31 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike me 119 persona të proceduar dhe janë konstatuar 647 vepra penale, duke u arrestuar 426 persona për akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ndërkohë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar janë organizuar 38 operacione policore, duke u goditur 31 grupe kriminale dhe vlera e aseteve të sekuestruara arrin shifrën e pesë milionë eurove, ku katër milionë janë sekuestruar vetëm nga pastrimi i parave. Në analizën e djeshme ishte i pranishëm dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili theksoi se duhet të ketë një reformim të Policisë Rrugore gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti.
Policia rrugore, indiferente ndaj zbatimit të ligjit
Kritika të ashpra kryeministri Berisha ka lëshuar edhe për strukturat e Policisë rrugore në të gjithë vendin, duke e cilësuar numrin e lartë të aksidenteve si një përgjegjësi të policisë së shtetit.
Kryeministri gjatë fjalës së tij në analizën e Policisë së Shtetit pohoi se Policia Rrugore ka një qëndrim indiferent ndaj zbatimit të ligjit dhe numri i aksidenteve rrugore mund të pësojë ulje nëse ka një ndërhyrje më efikase të strukturave përgjegjëse.
"Nuk mund të pranohet kjo situatë në trafikun rrugor. Për të gjitha aksidentet me shpejtësi të madhe, një përqindje e lartë e përgjegjësisë është e policisë së shtetit e skuadrave të saj të monitorimit të rrugëve. Shkaku numër një është qëndrimi i papërshtatshëm i policisë ndaj ligjit.
Ato janë jetë njerëzish",- u shpreh Berisha dje, duke kritikuar punën e strukturave të policisë rrugore. Ai u shpreh se nuk mund të pranohet situata e krijuar në verën që kaloi, kur aksidentet kalonin si top futbolli nga një komisariat në tjetrin, me pretekstin se e ka ky apo ai komisariat dhe situata të tilla nuk mund të përsëriten më.
Sipas kryeministrit, Drejtoria e Policisë së Durrësit, mban të gjitha përgjegjësitë, për një numër katastrofal aksidentesh që ndodhën në verë, në një autostradë vetëm 30 km të gjatë.
Kreu i Qeverisë iu ka kërkuar drejtuesve të Policisë së Shtetit që të menaxhojnë më mirë situatën e trafikut rrugor, për të shmangur në këtë mënyrë numrin e lartë të aksidenteve rrugore. Gjatë vitit 2009, në të gjithë vendin kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore 334 persona dhe 1309 persona janë plagosur, në 1316 aksidente të ndodhura gjithsej.
Numri i aksidenteve dhe i viktimave të tyre është më i madh në krahasim me vitin 2008, pasi 64 persona më shumë kanë mbetur të vdekur në aksidentet rrugore gjatë vitit 2009.
Në shembujt e përmendur nga kryeministri për mosfunksionimin e strukturave të policisë së shtetit, është edhe rasti i ndotjes së lartë akustike, shkaktuar nga zhurmat e shumëllojshme.
Sipas kreut të ekzekutivit, Sali Berisha, zhurmat e larta që kanë qenë prezent verën që kaloi, kanë sjellë dhe largimin e mjaft turistëve të huaj për shkak se nuk mund të pushonin në një ambient të zhurmshëm. "Verën që shkoi, shumë turistë janë larguar nga marrëzia e zhurmës së tmerrshme akustike, që nuk ndodh askund në botë përveçse në Shqipëri, në një vend ku ka ligje për këtë.
Qytetarë të ardhur nga vende të ndryshme për të pushuar në Shqipëri largoheshin sepse nuk mund të qëndrohej",- u shpreh Berisha, duke i rikujtuar drejtuesve të Policisë së Shtetit se për të normalizuar këtë situatë ka ligje të veçanta që duhet të respektohen.
Zhurmat e larta, jo vetëm në zonat bregdetare, por edhe në kryeqytet apo qytete të tjera të vendit, kanë qenë një shqetësim serioz për banorët dhe për pushuesit e huaj, të cilët si zgjidhje kanë pasur dhe anulimin e pushimeve në vendin tonë. Banorët vazhdojnë akoma të ankohen për zhurmat, që shkaktohen në mënyrë të veçantë nga muzika e lartë e lokaleve të natës.
Disa nga shifrat e 2009
Janë evidentuar 13100 vepra penale, janë zbuluar 75% e tyre
Janë goditur 142 grupe kriminale, nga të cilët 64 për krime të rënda kundër personit e pronës
Kanë ndodhur 79 vrasje dhe janë zbuluar 88% e tyre, ku 16 prej tyre kanë qenë vrasje në familje
Në luftën kundër lëndëve narkotike janë evidentuar 647 vepra penale dhe janë arrestuar 426 persona
Në luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar janë konstatuar 1646 vepra penale dhe janë goditur 24 grupe kriminale
Vlera e aseteve të sekuestruara nga aktivitet e pa ligjshme kap vlerën e pesë milionë eurove, ku katër milionë janë sekuestruar nga pastrimi i parave
Arrestohet ish-faturisti për shpërdorim detyre
TIRANË- Policia e kryeqytetit arrestopi një ish- punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), me akuzën e shpërdorimit të detyrës me pasoja ekonomike në buxhet.
Lirjan Qirici, 37 vjeç me banim në Tiranë, u arrestua nga specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në Policinë e Tiranës, pasi ndaj tij gjykata kishte vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, pas kërkesës së prokurorisë së Tiranës, pasi ndaj tij kryheshin hetime.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, i arrestuari ka punuar për disa kohë si faturist i energjisë elektrike pranë OSSH-së, dega Tiranë dhe gjatë kohës së punës së tij dyshohet se ka sjellë një dëm ekonomik prej 2.6 milionë lekësh në buxhetin e kësaj ndërmarrjeje tashmë private prej gati një viti.
Ish- faturisti është kallëzuar nga vetë drejtoria e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, në kryeqytet, pas dyshimeve për abuzimin me faturat elektrike në zonën ku ai punonte. Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi ndaj Qiricit dhe hetimet më 22 janar të këtij viti dhe hetimit në ngarkim të tij do të vazhdojnë nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.