E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë dhe shpresa për drejtësi

Për fat të keq, ende pakkush beson se ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, mund të dënohet nga gjykata e shtetit për abuzimet skandaloze në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Ky mosbesim vjen jo nga fakti se shqiptarët nuk besojnë se abuzimi ka ndodhur, por nga fakti se ata nuk besojnë më gjykatat e tyre. Me keqardhje më duhet të pranoj se shqiptarët kanë të drejtë të mos kenë besim te gjykata e shtetit të tyre. Nuk kanë besim, sepse ajo thuajse gjithmonë, në këto 18 vite pluralizëm, nuk plotëson dot dëshirën e shqiptarëve për drejtësi e barazi para ligjit. Nuk ka kronikan që të radhisë kalvaret e shqiptarëve në dyert e gjykatave tona. Nuk ka Kushtetutë që të pranojë shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në dyert e gjyqeve. Nuk ka buxhet që të zhdëmtojë interesat e cenuara nga padrejtësitë e drejtësisë.

Sidoqoftë, është rasti të mos humbim shpresën, sepse ka ardhur koha që, edhe gjykatat tona të dënojnë edhe politikanët zullumqarë, ashtu siç dënojnë çdo ditë kriminelët e zakonshëm.

Rasti ka sjellë që një ministër i rëndësishëm i kësaj qeverie të jetë sot nën akuzë penale. Cilado qoftë akuza, sido që të jetë formuluar ajo, është hera e parë që prokuroria shqiptare në këto 18 vite bën një gjest të tillë. Kjo është për t‘u përshëndetur pa asnjë ekuivok! Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që prokuroria të hetojë për një ministër dhe të arrijë të ngrejë akuzë për të, gjatë kohës që është në detyrë.

Siç është raportuar edhe në media, bëhet fjalë për një investim publik që ka filluar pa një projekt dhe pa një preventiv shpenzimesh të sakta. Po sipas fakteve të anonçuara në media, bëhet fjalë për një dëm ekonomik që i ka ardhur buxhetit të varfër të shqiptarëve, në vlerën prej 230 milionë eurosh, vlerë e barabartë me afërsisht 200 km autostradë me katër korsi. Më shumë se kaq nuk ka ç‘të ndodhë më! Çdo shtet, i varfër apo i pasur qoftë, para ngjarjeve të tilla do të reagonte. Këtë gjë kemi kërkuar të gjithë edhe te shteti ynë, i cili, megjithëse është kapur peng nga Berisha dhe grupi i tij, përsëri gjeti një mundësi reagimi.

Deri tani Prokuroria ka treguar se të paktën mund të kemi shpresë. Ajo tashmë akuzon! Ky është lajm i mirë, por është vetëm detyra e saj e parë.

Detyra e dytë është mbrojtja para gjyqit e akuzës. Është me vend të sqarojmë se çështja kundër ish-ministrit të Transporteve, ka disa veçanti në raport me të tjerat pararendëse. Akuza ngrihet ndaj një ministri ende në detyrë, gjë që deri më sot nuk ka ndodhur. Prokuroria ka arritur të akuzojë një ministër shumë të afërt me Kryeministrin, që nuk ka ndodhur më parë. Kjo akuzë sipas Kushtetutës, do të gjykohet për herë të parë nga Gjykata e Lartë e Republikës. Kjo e fundit është garancia maksimale që ka sot Republika jonë për të gjykuar drejt dhe në mënyrë të paanshme. Gjyqtarët e saj janë super të mbrojtur, me mandat dhe imunitet kushtetues ndaj çdo pushteti okult politik. Në këtë kuptim, shpresat për të kthyer besimin e shqiptarëve te drejtësia mund të rriten.

Gjykata e Lartë e Republikës, mesa duket, së shpejti do të ketë në dorë fatin e së ardhmes së shtetit tonë. Nga gjykimi i akuzës penale ndaj zotit Basha, varet drejtpërdrejt kthimi ose jo i besimit të shqiptarëve te shteti dhe e drejta. Nga gjykimi i drejtë i kësaj akuze varet e ardhmja e shtetit dhe e institucioneve të tij. Gjykata e Lartë ka në dorë t‘u japë një mësim të mirë të gjithë zyrtarëve të sotëm e të nesërm, se abuzimi me pushtetin duhet të marrë fund një herë e mirë. Gjykata e Lartë e Republikës ka në dorë të na rreshtojë ose jo në radhën e shoqërive perëndimore. Ajo ka në dorë të na përmirësojë imazhin tonë të mjerueshëm, ku qeveria aktuale dhe politika e tranzicionit na kanë zhytur. Asnjë veprim qeveritar, parlamentar apo politik nuk ka peshën e një vendimi të drejtë e të besueshëm të gjykatës. Këtë gjë pritet të na e vërtetojë Gjykata e Lartë.

Është e vështirë të japësh drejtësi në një shtet, ku qeveria të bën presion për gjithçka. Por nuk ka asnjë rrugë tjetër më të mirë. Në demokraci, shtetin dhe individin e garanton vetëm gjykata. Askush nuk mund të bëjë atë që bën gjykata. Gjykata e Lartë ka rastin të dëshmojë se reforma më e mirë në drejtësi është ajo që vjen nga vetë pushteti gjyqësor. Gjykata e Lartë, kur të shqyrtojë këtë akuzë, do të jetë modeli (i mirë apo i keq) për të gjithë gjykatat e niveleve të tjera.

Me të drejtë, publiku nuk ka shumë interes në vështirësitë e punës së prokurorisë dhe të gjykatave shqiptare (të 18 viteve), vështirësi që kanë ardhur për shkak të karakteropatisë së pandreqshme të politikës dhe, në mënyrë të veçantë të Berishës. Publiku nuk ka interes, sepse është velur nga politika dhe nga Berisha, prandaj e kërkon shpëtimin te drejtësia. Publiku është velur nga shkëmbimi i akuzave politike në media dhe nga nxjerrja e të palarave të njerëzve në media si pa gjë të keq. Shqiptarët, me të drejtë, nuk besojnë, sepse deri më sot politika e harbutërisë dhe e abuzimit me pushtetin nuk është dënuar asnjëherë. Është e qartë se besimi nuk ekziston, por të paktën shpresa nuk duhet prerë. Edhe këtë të fundit e ka në dorë Gjykata e Lartë. Le të fillojmë nga shpresa për të arritur te besimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›