E Diel, 1 Nëntor 2026

Hallet e pesë politikanëve dhe dhjetë milionë shqiptarëve

Share

Nga Kreshnik Spahiu

Një karrige presidenti ka bërë që në një muaj të rizbulohet sërish fytyra e vërtet e atyre që na qeverisin, që na kanë qeverisur ose pretendojnë të na qeverisin. Fytyra tashmë të stërkonsumuara mbi dy dekada dhe pamje televizive deja vu vazhdojnë të na japin imazhin e atyre që tashmë e quajnë pjesën tjetër turmë. Ata janë shumë pak, madje sa gishtat e njërës dorë, dhe ne jemi mësuar që të shqyejnë njëri- tjetrin në luftën për një karrige. Ata po shëtisin, vizitojnë, drekojnë, pinë kafe si në ditë vakish. Herë të shqetësuar dhe herë të buzëqeshur, në ekrane shfaqen Berisha, Rama, Nano, Meta etj në siparin e nisur nga ish- kryeministri tre herë i shqiptarëve Fatos Nano, i cili, pas 25 vitesh në politikë, kërkon riciklimin e tij të radhës dhe pikërisht nga ai që e burgosi për 4 vite me akuzën e korrupsionit dhe më pas e quajti vrasës të Azem Hajdarit. I lodhur nga pushteti ai u largua pjesërisht nga Shqipëria drejt Vjenës për tu rikthyer sërish me ambicien e njeriut që do vendosë unitetin. Qokat e kafeve vazhdojnë mes njerëzve që burgosën dhe akuzuan njëri tjetrin. Berisha burgosi Nanon dhe vite më pas Meta tentoi për disa orë të arrestonte Berishën. Berisha rrihte barbarisht Ramën dhe ky pas disa vitesh ia kthente borxhin duke e rrethuar në zyrën e tij. Nga plumbat e këtij të fundit e deri te prangat që i vunë njëri- tjetrit, kjo shoqëri e pështirë i përngjan një skenari makbethian ku ata që pështyhen në agim, puthen në perëndim.

Influenca e këtyre qokaxhive mbi mediet shqiptare ende vazhdon të vendosë në kryelajmin e ditës takimin e radhës. Ata që ishin të pangrënë, të paveshur, sot janë të tjetërsuar. Të gjithë të dalë nga një shoqëri e varfër dhe vend i mjeruar, të gjithë nga niveli zero e nisën, por ata zgjodhën biznesin më fitimprurës: pushtetin politik. Ata nuk janë më të dikurshmit, ata nuk janë më ata që patëm njohur, ata nuk janë ata që premtuan, ata nuk janë çfarë u shfaqën. Realiteti është diçka krejt tjetër. Sot kemi dy palë që mund ti quajmë Ata dhe turma.

Në asnjë moment nuk i shikon aq të shqetësuar. Ata nuk shqetësohen nga kriza ekonomike, ata nuk alarmohen nga kriza rajonale, ata nuk ja u ndjen se çndodh në viset shqiptare, mbi të gjitha ata nuk janë të shqetësuara sa dëm bën imazhi i tyre për kombin shqiptar. Udhëkryqi i historisë ku gjenden shqiptarët, për ta është zëvendësuar me fjalëkryqin e presidentit, makthi që kanë shqiptarët nga e ardhmja e tyre e pasigurt, është zëvendësuar nga makthi për 71 vota për presidentin, kriza që kanë shqiptarët për të qenë dinjitozë në rrugëtimin e tyre drejt Perëndimit, është zëvendësuar me krizën që ata kanë në raporte me diplomatët klientelistë që janë përfshirë në pazaret e tyre për pushtet. Ata kanë zvogëluar kombin tonë dhe problemet e tij në pak metra katror të zyrës së presidentit dhe hallet për zgjedhjen e tij.

Nëse dikujt prej tyre sot i kujton problemet që kanë shqiptarët në Greqi dhe përqasjet me racizmin, është një rrezik se në vend të rrugëzgjidhjes ata e shikojnë këtë si një mundësi për pazar. Nëse u flet për problemet e shqiptarëve në Maqedoni dhe paragjykimet raciste dhe etnike ndaj tyre, ata e marrin si një mundësi të re për pazar. Nëse u flet për përplasjen e re të shqiptarëve në Luginën e Preshevës me shovinizmin e rizgjuar të Beogradit ndaj tyre, ata e shikojnë si një mundësi të duken të moderuar për të fituar simpati për pazaret e tyre. Hallet e dhjetë milionë shqiptarëve dhe hallet e pesë politikanëve shqiptarë në Tiranë janë krejt të ndryshme dhe nuk takohen askund. Shqiptarët ëndërrojnë një komb dinjitoz demokratik, properëndimor dhe një treg të madh shqiptar, politikanët e Tiranës kërkojnë një zyrë 50 metra katrorë, ku qëndron karrigia e presidentit, dhe nga ku kontrollohet sistemi i drejtësisë dhe pushtetet e tjera në vend, për të çimentuar regjimin e tyre poshtërues për shqiptarët. Ata ngatërrojnë orën e historisë që për ta ka kaluar, me orën e zgjedhjes së presidentit, që po afron.

Burrat e shtetit të vendeve fqinjë janë treguar shumë herë më dinjitoz se këta burracakë, por sërish kanë ditur kur të ikin nga skena. Ata i bashkuan kombet e tyre në kohën dhe vendin e duhur dhe ndryshe nga këta burracakë ditën të bëjnë luftën dhe paqen brenda dhe jashtë trojeve të tyre. E kanë bërë këtë pasi popujt e tyre kanë ditur tu tregojnë vendin politikanëve plëngprishës. Dhe ne nuk jemi një shoqëri e dorës së dytë. Dhe ne do ti dimë të tregojmë se jemi një shoqëri dinjitoze, dhe se e vetmja gjë e dorës së dytë në këtë vend, është kjo elitë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›