Gjykata e Lartë zhgënjen Delijorgjin

Nuk do të kalojë në proces gjyqësor kërkesa e Mihal Delijorgjit për ndryshimin e masës së sigurisë dhe të heqjes së sekuestros së pasurisë. Mbeten në fuqi vendimet e Gjykatës së Apelit, e cila e lë në burg dhe pa perandori bosin e Albademil
TIRANË - Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e Mihal Delijorgjit, i cili kërkonte kundërshtimin e masës së sigurimit personal “arrest me burg” dhe masës së sekuestros për pasuritë e tij. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare pranë këtij institucioni, të cilat thanë se nga analiza që u është bërë kërkesave të Mihal Delijorgjit, nuk u pa e arsyeshme që ato të merren në konsideratë dhe t’i nënshtrohen shqyrtimit të mëtejshëm në Gjykatën e Lartë. Vendimi është marrë ditën e djeshme nga relatorët përkatës të çështjeve në fjalë, të cilët pas shqyrtimit dhe këshillimit që i kanë bërë përmbajtjes dhe arsyeve që kanë çuar të interesuarin të kërkojë rekurs, vendosën të rrëzojnë kërkesat. Burime pranë Gjykatës së Lartë nuk saktësuan arsyet që çuan në marrjen e këtij vendimi, por thanë se relatorët së bashku me këshilluesit nuk e gjetën me vend që këto dy kërkesa të merren në shqyrtim. Tashmë është fakt që Delijorgji, një prej të akuzuarve si përgjegjësi kryesor për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec, do të vazhdojë të qëndrojë në burg, por nga ana tjetër ai do të jetë edhe pa prona. Pasuritë e Delijorgjit u sekuestruan me një vendim të prokurorisë, e cila ngriti pretendimin se shuma e konsiderueshme e aseteve që zotëron bosi i “Albademil” do t’i nënshtrohet verifikimit për të sqaruar çdo lidhje të mundshme mes këtyre pronave dhe veprimtarisë që firma e tij kryente në Gërdec. Gjithashtu, Gjykata e Lartë rrëzoi edhe kërkesën për rekursin e masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dhe lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit. Prokuroria arriti të bindë të dyja shkallët e gjyqësorit, se personi nën hetim, Mihal Delijorgji, dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale, “shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive”.