E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ska Shqipëri të Madhe

Presidenti Bamir Topi ua hoqi merakun dje serbëve dhe Serbisë, kur u tha nëpërmjet agjencisë së tyre Beta, se nuk ka asnjë plan për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Kryetari i shtetit garantoi se Kosova dhe Shqipëria kanë të ardhmen në Evropën e Madhe. Asnjëra prej palëve, as agjencia dhe as presidenti, nuk saktësuan se çfarë kuptonin me termin Shqipëri e Madhe, që në hapësirën gjeografike nuk përfshin territoret e sotme etnike të Shqipërisë brenda dhe jashtë kufijve të saj politikë ku jetojnë ende shqiptarë, por ato (territore) të katër vilajeteve në kohën e Perandorisë Turke

-Cili është mendimi juaj për gjendjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, sidomos po të kihet parasysh fakti që Shqipëria është një nga vendet që e ka njohur Kosovën edhe në kontekstin e masave të marra nga Serbia kundër këtyre vendeve?

Bamir Topi: “Marrëdhëniet me Republikën e Serbisë, Republika e Shqipërisë i mbështet në parimet e politikës së saj të jashtme me vendet e rajonit, në parimin e reciprocitetit, atë të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal në funksion edhe të një qëllimi madhor: integrimit në strukturat evropiane dhe euroatlantike, për ta kthyer rajonin në një hapësirë paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti, në një terren të politikave të përbashkëta të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Pavarësisht nga qëndrimet diametralisht të kundërta për çështjen e Kosovës, marrëdhëniet tona me këtë vend ravijëzohen si më poshtë: Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe pa paragjykime e kushtëzime, duke kontribuar në krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit dypalësh në marrëdhëniet politike, shkëmbimet tregtare, lëvizjen e lirë të njerëzve, shkëmbimet kulturore, arsimore, shkencore e turistike, në interes të dy vendeve tona dhe të sigurisë e stabilitetit afatgjatë në rajon. Stabiliteti i rajonit buron dhe varet në një masë të konsiderueshme nga qëndrueshmëria dhe zhvillimi mbi parime demokratike të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy popujve. Për sa i takon Shqipërisë, ajo do të bëjë gjithçka që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të zhvillohen normalisht. Shqipëria mbështet procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Serbisë, duke dëshiruar që edhe ajo të bëhet pjesë e ritmeve tashmë të shpejta të afrimit të Ballkanit Perëndimor me Brukselin”.

-Menjëherë sapo u zgjodhët President i Shqipërisë, ju dhatë mbështetjen tuaj për një Kosovë të pavarur, gjë që solli kritika të ashpra nga Beogradi. Më vonë ju deklaruat se një Kosovë e pavarur do t’i kontribuonte paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan dhe në Evropë. Çfarë arsyesh keni që e mbështesni kaq fort pavarësinë e Kosovës?

“Unë vazhdoj të jem i bindur, se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja politike më e duhur jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin. Pavarësia e Kosovës përbënte edhe makthin e fundit politik, por edhe psikologjik të zgjidhjes përfundimtare të procesit shpërbërës të ish-Jugosllavisë, pavarësi e cila respektoi një proces të rëndësishëm dhe transparent të monitoruar nga faktorë ndërkombëtarë me mandate, i cili nuk mund të zgjatej pafundësisht. Proceset e integrimit të rajonit tonë, të cilat janë e vetmja mënyrë për të shpëtuar popujt e tij nga e kaluara e hidhur, janë sa përfshirëse, aq edhe përjashtues. Politikanët e Kosovës së bashku me komunitetin ndërkombëtar të mandatuar për statusin e Kosovës zgjodhën vendosmërisht rrugën e gjithëpërfshirjes, si rrugën më të mirë për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës të Serbisë dhe të rajonit tonë. Lindja e shtetit të ri të Kosovës zgjidhi një problem të vjetër, për të cilin të gjithë ishin të ndërgjegjshëm që kërkonte një perspektivë evropiane, duke krijuar një hapësirë të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë shumë të favorshëm për investime të rëndësishme dhe për realizimin me sukses të programeve komunitare dhe rajonale me karakter politik, ekonomik, ushtarak dhe social”.

-Ju keni deklaruar që Kosova do të jetë një vend sipas standardeve evropiane. Çfarë mendoni për të ardhmen e Kosovës, meqë është “de fakto” një protektorat ndërkombëtar dhe Serbia kundërshton ta njohë pavarësinë e saj?

“Më 17 shkurt 2008 Kosova përfundoi rrugën e vështirë historike dhe filloi përballjen me të ardhmen e saj si shteti më i ri në botë me qeverinë dhe institucionet e veta shtetërore të zgjedhura në mënyrë demokratike. Kosova përbën një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Kushtetuta e saj provon në mënyrë të pakthyeshme se detyrimet dhe përgjegjësitë shtetërore u takojnë gjithnjë e më shumë autoriteteve vendore dhe më pak komunitetit ndërkombëtar. Deri më sot ajo ka lidhur marrëdhënie diplomatike me 43 shtete të botës dhe ndodhet në një proces njohjeje edhe nga shumë vende të tjera. Standardet evropiane nuk janë vetëm parime teorike. Ato janë përvoja dhe praktika demokratike, për të cilat qeveria dhe Kuvendi i Kosovës po jep prova si nëpërmjet zgjedhjeve demokratike, ashtu edhe nëpërmjet procesit të vënies në praktikë të paketës “Ahtisari” për të krijuar një shtet modern, ku qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, ta ndjejnë veten të barabartë, ku familjet të jenë të garantuara të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre sipas kontributeve të barabarta, ku siguria për të ardhmen të jetë më e madhe se fantazma e së kaluarës”.

-Në janar ju u shpallët “Qytetar Nderi i Prishtinës”, ndërsa Universiteti i Prishtinës ju dha një doktoraturë nderi. Në atë kohë ju folët për fillimin “e një ere të re ekonomike” me Kosovën. Cili është bashkëpunimi në tërësi mes Tiranës dhe Prishtinës?

“Vizita që bëra në Kosov

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›