Si paketonin municione 6 amerikanët në Memaj

TIRANË - Veprimtaria e dyshimtë e ndërmarrjes shtetërore “Meico” ka detyruar hetuesit e dosjes “Gërdeci” të rikthejnë vëmendjen në depon e Memajt (pranë Durrësit). Këto ambiente, të cilat administrohen nga “Meico”, dyshohet të jenë përdorur për afera të dyshimta, kryesisht me municionet. Një gjë e tillë është pohuar edhe nga ushtarakët që kanë si detyrë të ruajnë depot e “Meico”-s, të cilët kanë deklaruar për hetuesit e çështjes, se në këto ambiente janë gjetur materiale që shërbejnë për paketimin e municioneve. Në dëshminë e tyre, ushtarakët kanë dhënë detaje rreth punës së 6 amerikanëve që punuan në mënyrë tepër misterioze brenda ambienteve të kësaj depoje deri më datë 12 mars, tri ditë para tragjedisë së Gërdecit. Burime nga akuza thanë se për këtë çështje janë pyetur të paktën tre ushtarakë, që kanë si detyrë ruajtjen e këtyre ambienteve. Ata kanë treguar me detaje gjithë lëvizjet e shtetasve të huaj, të cilët në shërbim të punës që kryenin, kishin arritur të pajiseshin edhe me një autorizim zyrtar, që i lejonte të hynin pa problem edhe në ambiente të tjera ushtarake. Në dëshmitë e tyre, nënoficerët kanë treguar se atyre iu ishte ndaluar kategorikisht hyrja në ambiente e brendshme të depos, ku punonin amerikanët. “Vinin rreth orës 9:00 të mëngjesit dhe punonin deri në orën 16:00”, -mësohet të ketë thënë në dëshminë e tij njëri prej ushtarakëve të pyetur nga grupi hetimor, i cili veç ngjarjes së Gërdecit po mbledh të gjitha të dhënat e nevojshme, të cilat mund ta orientojnë çështjen drejt një piste të mundshme trafiku armësh apo municionesh. Gjithashtu, ushtarakët janë shprehur se amerikanët, punën e vërtetë të të cilëve e mësuan pasi ata u larguan, qëndruan në depon e Memajt deri më datën 12 mars, ditë në të cilën u larguan. Ata kanë treguar se, pasi kanë hyrë në ambientet e brendshme të depove, kanë gjetur pajisje për ambalazhimin e predhave të kalibrit të madh. Ushtarakët kanë treguar se veç polisterolit (shkumë deti), që përdorej për paketimin e municioneve, lëndë e cila krijon një peshë specifike relativisht të vogël, brenda ambienteve të depos janë gjetur gëzhoja të pastruara, gjenerator i cili përdorej vetëm nga amerikanët, si dhe një mjet transporti (pirun), i cili shërbente për lëvizjen e baletave me municione, apo materiale të tjera që i nënshtroheshin paketimit brenda ambienteve të depos. Por, duke qenë se ushtarakët kishin si detyrë vetëm ruajtjen e objektit, dëshmitë e tyre nuk kanë arritur të hedhin dritë mbi ngarkesat e mundshme të armëve apo municioneve që mbërrinin në depon e administruar nga “Meico”. Gjithashtu, ata nuk kanë mundur t’i japin përgjigje pyetjes, se cili ishte destinacioni i municioneve, nëse vërtet kryhej një proces paketimi në ambientet e brendshme të depos. Prokuroria thotë se kjo pistë do të vërtetohet në të ardhmen, pasi hetimet janë shtrirë drejt portit të Durrësit, pikë kjo që nuk është përjashtuar nga hetuesit për sa i përket një linje të mundshme të trafikut të municioneve.
Brenda depos edhe “Katjushka”
Pas evidentimit të shitjes së një sasie prej 3200 predhash të kalibrit 107 mm nëpërmjet bazës ushtarake të Rinasit, i njëjti kalibër rezulton të jetë paketuar edhe në depon e Memajt. Të paktën një gjë të tillë pretendojnë ushtarakët që ruanin këtë bazë, të cilët kanë pohuar para prokurorisë, se ndër të tjera kanë parë që brenda ambienteve të depos ndodheshin edhe predha të kalibrit 107 mm. Shitja e këtyre predhave, të cilat nuk ishin parashikuar në kontratën që “Meico” dhe “SAC” kishin për demontimin e predhave të kalibrit të madh, ka nxitur prokurorinë të hetojë për një trafik të mundshëm të këtij lloj kalibri.