E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Ministrave kërkon hetimin e Christine Lagarde

PARIS- Gjykata franceze e Drejtësisë, e quajtur ndryshe edhe Gjykata e Ministrave, është gati të vendosë nëse do të fillojë hetimet mbi Christine Lagarde, kreun e Fondit Monetar Ndërkombëtar që prej vitit 2011, pohuan sot burime pranë hetuesisë.

Ish-ministrja e Ekonomisë dhe Financave, pjesë e qeverisë së Nicolas Sarkozy prej vitit 2007 deri në vitin 2011, është përfshirë në një hetim mbi deklarata të rreme dhe keqpërdorim të fondeve publike në lidhje me një vendim arbitrazhi të diskutueshëm në favor të biznesmenit, Bernard Tapie.

Lagarde ka luajtur një rol të rëndësishëm në gjykimin në të cilin biznesmeni Bernard Tapie ka fituar 403 milion euro në vitin 2008 për një mosmarrëveshje afatgjatë me bankën ''Credit Lyonnais''.
Gjykata e Ministrave, një organ që përfshin tre magjistratë, pritet të marrë në pyetje Lagarde.

Magjistratët, siç njoftohet, kanë vënë në pikëpyetje faktin pse Lagarde vendosi të mos apelojë gjykimin, i cili ishte konsideruar më pas si gjykim i njëanshëm në favor të miliarderit francez. 

Pas seancës dëgjimore të Lagarde, gjykata do të vendosë nesër nëse do të nisë zyrtarisht hetimet ndaj Lagarde apo ajo do të konsiderohet thjesht si një "dëshmitare e informuar." 

(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›