E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Koncesionet e hidrocentraleve, ligjore dhe respektojnë ambientin

TIRANË- Partia Demokratike reagoi sot ndaj deklaratave të kreut socialist Edi Rama lidhur me mjedisin. “E vërteta e koncesioneve të hidrocentraleve është se ato janë tërësisht ligjore, respektojnë ambientin, prodhojnë energji të pastër me kosto të ulët dhe kanë punësuar mijëra shqiptarë”, tha në një konferencë për mediat zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Taulant Bino. 

Bino u shpreh se plani i Edi Ramës është trembja e investitorëve dhe rritja e taksave, çka sjell humbje të vendeve të punës dhe dëmtim të ekonomisë. “Hidrocentrali i Ashtës, i kaskadës së Devollit dhe 50 të tjerët që funksionojnë sot janë një mrekulli e tekonologjisë, që rrisin vendet e punës dhe të ardhurat e shqiptarëve. Vetem kaskada e Devollit hap mbi 5000 vende pune direkte dhe indirekte”, nënvizoi Bino.
Sipas tij, partneriteti publik-privat ka qenë leva e zhvillimit të vendit, duke mundësuar në masë të madhe tejkalimin e premtimit elektoral të 2009, duke punësuar 200 mijë shqiptarë. 

Bino theksoi se “energjia hidrike është e pastër dhe në përputhje me strategjinë e BE-së për rritjen e energjisë së pastër në Evrope. Por Partia Socialiste është përsëri kundër Bashkimit Europian”. 

Duke u ndalur në masat e marra për mbrojtjen e mjedisit, Bino përmendi furnizimi me energji elektrike 24 orë, rritja e sipërfaqes së territorit të mbrojtur, ndërtimi i 9 impianteve të pastrimit të ujërave të zeza, si dhe forcimi i kontrollit për mbajtjen pastër të mjedisit. “Sot Shqipëria është më e pastër dhe më e zhvilluar se kurrë, të vetmet ndotje vijnë nga salloni mavi i Edi Ramës”, tha Bino. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›