Gjykata e Shkodrës liron të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë
Gjykata e Shkodrës ka liruar sot Leonard Nikajn, 25 vjeçarin e arrestuar pasi dyshohej se kishte bashkëpunuar në vrasjen e Frederik dhe Jurgen Markut. Babë e bir u qëlluan më 29 gusht në Shkodër. Jurgeni 22 vjeçar vdiq në spital, kurse babai vdiq në vend.
Pati raportime se sherri pati nisur në Theth, ku familja Marku ka edhe një bujtinë. Pak më vonë edhe bujtinës së tyre iu vu flaka.
Policia arrestoi një ditë pas krimit Leonard Nikajn, por ai deklaroi se kishte një alibi të fortë.
Gjykata e vlerësoi si të ligjshëm ndalimin e tij, por kërkoi nga policia dhe prokuroria që të ofrojnë prova brenda 15 ditësh, në rast të kundërt ai do të lirohej.
Pas 15 ditësh gjykata vendosi lirimin e tij pasi policia e prokuroria nuk ofruan prova bindëse.