Të vegjëlit mbajnë peng KQZ, ja emrat e përfolur në kampin rozë

Pretendimet e partive të vogla për anëtarin e tretë të secilit krah ka bërë që edhe dy partitë e mëdha të mos zyrtarizojnë emrat e tyre. Edhe pse 16 shtatori ishte afati i fundit për zgjedhjen e 6 antëtarëve të rinj të KQZ, deri më tani ajo cka dihet është se dy kryetarët e partive kryesore, që do të kenë edhe shumicën e anëtarëve në KQZ, po shqyrtojnë listën me kandidatët.
Burimet të Ora News thanë se në PS kandidatët që përfliten janë emra të njohur në fushën e zgjedhjeve. Ndër emrat e projektuar nga kryesocialisti, Edi Rama, për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është Genci Gjonça, përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, ndër emrat e mundshëm janë avokatët e PS në KQZ, Eridjan Salianji dhe Eno Bushi, si dhe Koli Bele- ish prokuror e avokat . PS ka vendosur që anëtari i dytë i saj të jetë një femër, e cila mund të vijë nga shoqëria cilvile.
Sipas të njëjtave burime, ajo çka ka sjellë këtë vonesë në emra sishte edhe mundësia e një anëtari të ardhur nga FRD, për shkak të rolit të paqëndrueshëm të kreut të PBDNJ-së, Vagjel Dules në koalicionin opozitar. Por tashmë gjithcka është mbyllur dhe anëtari i tretë nga opozita i është lënë në dorë kësaj force politike. Ndërsa PD dhe LSI mbeten hermetik në artikulimin e emrave për përfaqësuesit e tyre në KQZ.
Procesi i rikompozimit të KQZ duhet të kishte përfunduar që në datën 25 shtator. Por palët mesa duket kanë arritur një kompromis të heshtur për të shtyrë me disa ditë depozitimin e emrave për anëtarët e rinj të KQZ- së, proçes që do të shoqërohet edhe më zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Deri më tani në Kuvend për këtë detyrë kanë aplikuar 11 kandidatë, mes të cilëve dhe 3 femra.