E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Strazburgut vendos pro ekstradimit

Gjykata evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur pro ekstradimit të pesë të dyshuarve për terrorizëm, përfshirë klerikun radikal Abu Hamza al Masri, nga Britania e Madhe në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa për të dyshuarin e gjashtë, çështja do të shqyrtohet më vonë, pasi bëhet fjalë për shëndetin mendor të personit në fjalë.

Gjykata e Strazburgut vlerësoi se nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut nëse të dyshuarit mbyllen në një burg të sigurisë së lartë dhe nëse lihen në qeli izolimi.

Mes personave në fjalë është edhe i dyshuari si financues i terrorizmit, Babar Ahmad, si dhe dy të tjerë të akuzuar për pjesëmarrje në atentatin e vitit 1998 ndaj ambasadës amerikane.

Vendimi i gjykatës mund të apelohet për herë të fundit në Dhomën e Madhe, por zakonisht vetëm fare pak çështje trajtohen nga ky forum.

Vendimi i gjykatës është një ndër më të rëndësishmit që prej 11 shtatorit, pasi përcakton se si dhe kur Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë ekstradimin e të dyshuarve nga Britania e Madhe.

Të dyshuarit kanë tre muaj kohë për të tentuar për të bindur Dhomën e Madhe për të rihapur të tërë çështjen dhe për ta ekzaminuar atë. Nëse dështojnë, ata do të dërgohen në SHBA.

Një zëdhënës i Babar Ahmad, i cili është mbajtur për një kohë rekord prej 8 vjetësh pa proces, deklaroi se ai do të luftojë kundër ekstradimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›