E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës: Deklaratat cenojnë procesin e rregullt ligjor

09-02-2013 / Gazeta 55

Gjykata e Tiranës garanton se në vendimin e çështjes së 21 Janarit është zbatuar plotësisht ligji dhe është ruajtur paanshmëria, ndërsa ka siguruar se zbardhja e vendimit të plotë për të pandehurit do të realizohet brenda afateve ligjore. Në këtë deklaratë gjyqtarët theksojnë se janë të vendosur për zbatimin e ligjit, ndërsa kanë komentuar dhe deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje shqetësuese në një proces të rregullt gjyqësor.
“Dje (pardje) trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët e kësaj Gjykate, Besnik Hoxha, Ardjana Beraj dhe Arjana Gumbardhi, pas shqyrtimit të çështjes nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor shpallën vendimin lidhur çështjen në ngarkim te të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo e Margarit Kume ku këta shtetas u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria në ngarkim të tyre, ato të, ‘Vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave’, si dhe ‘Vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy, ose më shumë personave’, dhe ‘Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës’”, thuhet në njoftim.
Në deklaratën e Gjykatës sigurohet se “vendimi i plotë duke përfshirë arsyetimin dhe argumentet e trupit gjykues në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë do të zbardhet dhe behet publik brenda afatit ligjor. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Në këtë kuadër është e qartë se i takon tashmë institucionit të Prokurorisë që pas zbardhjes së vendimit të vendosë se çfarë hapash ligjorë mund të ndërmarrë lidhur me këtë vendim”, thuhet në deklaratë, ndërsa regjistrohet dhe reagimi lidhur me qëndrimin e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
“Në këtë kontekst, lexohet në njoftim, deklarata e Ambasadës se SHBA-ve në Tiranë është shqetësuese. Ajo, ndërhyn në procesin e rregullt ligjor nëpërmjet komenteve mbi një çështje përpara zbardhjes së vendimit nga trupi gjykues, përpara qëndrimit të prokurorisë mbi hapat e mundshëm  dhe përpara mbylljes së procesit të rregullt ligjor lidhur me këtë çështje. Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›