“Të votojmë tre ligjet, të hedhim një hap për marrjen e statusit”
Kreu i LSI-së Ilir Meta mbledh Komitetin Drejtues Kombëtar
“Zgjedhje me standarde në mënyrë që vendi të ecë përpara procesit të integrimit”, kanë qenë kryefjala e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në mbledhjen e djeshme të Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj force politike. “Unë besoj se ky fillim viti është tepër e rëndësishme të kemi parasysh se vendi në 23 qershor do të shkojë drejt zgjedhjeve të përgjithshme dhe ky nuk është një moment thjesht i rëndësishëm elektoral apo partiak, por është një moment tepër i rëndësishëm politik dhe kombëtar sepse duhet që përmes këtyre zgjedhjeve vendi duhet të demonstrojë një demokraci të konsoliduar dhe njëkohësisht duhet të tregojë se është një vend që e meriton jo vetëm marrjen e statusit të vendit kandidat, që shpresojmë të merret përpara zgjedhjeve dhe është plotësisht i arritshëm në rast se demonstrohet vullneti i kërkuar së fundmi edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Fyle, por njëkohësisht edhe për hapjen e negociatave për të cilat natyrisht që testi i zgjedhjeve do të jetë një hap i rëndësishëm. Ndaj angazhimi ynë i parë edhe në këtë takim dhe përgjatë gjithë këtyre muajve që vijnë, deri në 23 qershor, është në funksion të standardeve të zgjedhjeve. Ne kemi fituar me mjaft sakrifica të drejtën për të qenë pjesë e administrimit zgjedhor, që nga KQZ-ja në mënyrë kapilare deri në çdo qendër votimi e numërimi. Është tepër e rëndësishme që të gjithë përfaqësuesit tanë, që nga anëtari i KQZ-së e deri në nivelin më skajor dhe fundor të piramidës së zgjedhjeve, t’i përmbahen me rigorozitet ligjit dhe njëkohësisht të tregojnë frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi për të arritur standardet e zgjedhjeve sepse këto janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër për të gjithë vendin, për të gjithë qytetarët tanë”, tha Meta, duke theksuar angazhimin e LSI-së gjatë muajve që vijnë është në funksion të standardeve të zgjedhjeve.
Ilir Meta ka bërë sërish thirrje për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli.
“Ne kemi fituar me shumë sakrifica të drejtën për te qenë pjesë e administrimit zgjedhor, të tregojnë që bashkëpunimi dhe mirëkuptimi për të arritur standardet se këto janë më të rëndësishëm se gjithçka tjetër. Të mos paragjykojmë zgjedhjet, të mos ekzagjerojmë probleme të caktuara, edhe të funksionimit të piramidës së sistemit zgjedhore, të mos abuzojmë me pjesëmarrjen në organizmat e administratës zgjedhore, do vazhdojmë të angazhohemi për të zhbllokuar integrimin, që po pëson staniacion të padrejtë, kur dihet se miratimi i tre ligjeve është minimumi i paevitueshëm për statusin, pavarësisht se nuk është gjithçka, politika të marrë përgjegjësitë për të votuar tre ligjet dhe të hedhim një hap për marrjen e statusit”, vuri në dukje ai. Kreu i LSI-së kërkoi nga organizmat e kësaj force politike të vijojnë me rritjen e anëtarësisë duke vlerësuar edhe LGI-në dhe LRI-në në këtë drejtim.
LSI është forca e dialogut dhe e stabilitetit rajonal
Gjatë fjalës së tij në punimet e Komitetit Drejtues Kombëtar (KDK) të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta tërhoqi vëmendjen edhe ndaj zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke theksuar se LSI është forca politike që punon për forcimin e dialogut mes faktorëve politikë dhe vendeve të rajonit tonë, duke bërë një lidhje mes dialogut të brendshëm dhe peshës së Shqipërisë në rajon.
Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se një çështje tjetër e rëndësishme “ka të bëjë pikërisht me angazhimin e LSI-së si forcë që është për integrimin evropian, po kështu lidhur edhe me angazhimin e saj për të forcuar stabilitetin në rajonin tonë dhe për të rritur më tej rolin e Shqipërisë si një faktor stabilizues, konstruktiv dhe paqedashës sikurse kjo ka qenë në të kaluarën”.
Ai tha se, “në nivel rajonal, ashtu sikurse edhe brenda vendit, LSI është për të forcuar dialogun midis përfaqësuesve legjitimë të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë dhe për dialogun ndër-rajonal në tërësi, sepse vetëm përmes stabilitetit dhe dialogut të gjithë vendet tona do të ecin më shpejt në rrugën e integrimit evropian”.
Me këtë rast, Ilir Meta bëri një vlerësim të veçantë për punën e Ministrit të Punëve të Jashtme Edmond Panariti në shërbim të integrimit evropian dhe stabilitetit të vendeve të rajonit.