Edi Rama mori ndëshkimin moral për 21 Janarin e tij
Në vitet 1950-1952 kam bërë shërbimin ushtarak në Gërhot të Gjrokastrës. Në verë divizioni ynë shpërngulej në Erind. Ishte një fushë e gjerë, disa km pa vajtur në Gjirokastër, në rrugën Tepelenë-Gjirokastër. Në rregulloren e shërbimit të rojës kishim këtë instruksion: Nëse ndokush i afrohet zonës së ndaluar, (në rastin tonë të rreshtimit të kapanonave të improvizuara në fjetore me lëndë drusore), nëse ndokush i afrohej zonës së ndaluar, paralajmërohej me zë të lartë me thirrjen Ndal! Kjo thirrje përsëritej. Nëse kundërvajtësi nuk ndërronte drejtim, qëllohej herën e parë në ajër dhe, së dyti drejt e te kundërvajtësi.
Njëherë një i dehur u drejtua bash në drejtim të gabuar. Pas procedurës së rregullores, roja qëlloi dhe e plagosi personin në kundërvajtje, që ra në tokë. Vjen përgjegjësi i rojës dhe e gjen të përgjakur, përmbys. Jep alarmin me bilbil. Për fat të mirë personi i plagosur nuk kishte marrë plagë në organe jetësore. Çohet në spital në Gjirokastër dhe aktekspertiza vërtetoi se ishte i dehur. Morëm vesh se personi, pas disa ditësh në spitalin e Gjirokastrës, ishte liruar. Rasti u quajt aksidental. Por kundërvajtësi mundet edhe të ishte vrarë. Do të shkonte për dhjamë qeni, siç thuhej.
Pas 40 vjetësh nga ndërrimi i sistemeve, një komshiu im kishte kryer shërbimin ushtarak po në Gërhot të Gjirokastrës. Ai më thoshte se rregullorja e shërbimit të rojës nuk kishte ndryshuar. Nga ana tjetër jam interesuar edhe ndër emigrantë shqiptarë, që e kanë bërë shërbimin jashtë shtetit, për shkak të kombësisë. Në këto vende perëndimore nuk ndodhin demonstrata partiake, të njërës parti (opozitare) ndaj partisë tjetër (në fuqi). Ato që shohim nëpër filma janë protesta, zakonisht të drejtuara nga sindikatat, në të cilat demonstruesit nuk janë të një partie kundër partisë tjetër, por janë të partive të ndryshme, me kërkesa për mosulje rrogash, për ndonjë ligj që duhet të rishikohet, për pushime në masë të punëtorëve apo të punonjësve për shkak të recesionit, etj. Pra, as që mund të imagjinohet që të bëhen greva urie në ShanzElizé, për shembull, të një partie opozitare kundër partisë qeverisëse, siç ndodh në vendin tonë.
Këtu opozita jonë e ka bërë zakon të shpërfillë të gjitha rregullat procedurale, madje të shkruajë edhe parrulla kundërqeveritare në truall të bulevardit. Ata që vizitojnë kodrat e Liqenit, i shohin këto shkrime të pathara ende plotësisht, kinse në favor të ish-të përndjekurve politikë, në dyshemenë e truallit në shtresë të bardhë. Ishte koha kur për interesa politike të Ramës, disa individë të paformuar nga shtresa që u lirua nga burgjet politike të E. Hoxhës, u dashka të bëjë tashmë një demonstrim në interes të opozitarëve të drejtuar nga E. Rama. Një opozitë nga e cila ish-të përndjekurit politikë nuk mund të shpresojnë asgjë nga neokomunistët që tani bëjnë politikën e Edi Ramës. Titullarët e Shoqatës së ish-të përndjekurve politikë të Tiranës, Reshat Kripa dhe Sejdi Peka kanë shkruar artikuj në gazetën tonë “55”, në të cilët argumentojnë se gjithçka kanë marrë si dëmshpërblim dhe do të marrin në të ardhmen sipas programit, do të jenë nga qeverisja demokratike dhe jo nga opozita mashtruese.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e cilësoi të paprecedent sulmin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama ndaj sistemit të drejtësisë, pasi gjykatat shpallën të pafajshëm tre gardistët që mbrojtën institucionet kushtetuese më 21 janar 2011, duke zbatuar plotësisht ligjet e Republikës së Shqipërisë.
Në një reagim për mediat, ministri Halimi u shpreh i bindur se me aktin e djeshëm të Edi Ramës për të mos pranuar vendimet e një pushteti të pavarur u tregoi shqiptarëve modelin e presionit politik mbi çdo institucion, sistematikisht derisa në fund kërkon t’i asfiksojë ato totalisht. Sipas Halimit, sulmi i tij tregon vetëm frikën se verdiktet e drejtësisë shqiptare do t’i afrohen edhe karriges së E Ramës. "Edi Rama dhe Partia Socialiste sulmuan sot në mënyrë të paprecedent drejtësinë shqiptare, pasi ajo shpalli të pafajshëm tre gardistët që mbrojtën institucionet kushtetuese më 21 janar, duke zbatuar plotësisht ligjet e Republikës së Shqipërisë. Me këtë akt të pazakontë në historinë e demokracisë shqiptare dhe botërore, Edi Rama sulmoi shtetin e së drejtës thjesht dhe vetëm për të mbrojtur vetveten, “si arkitekti kryesor i dhunës së 21 janarit” - tha ai. Dhe vazhdoi: - Edi Rama është i vetmi politikan që komenton sistematikisht vendimet e gjykatave, duke dashur t’i shndërrojë ato në vendime politike. Ndaj sulmi i tij tregon vetëm frikën se verdiktet e drejtësisë shqiptare do t’i afrohen edhe karriges së tij. Shqiptarët dhe çdo njeri normal në këtë vend nuk e kuptojnë se cila është lidhja mes vendimit të një gjykate të pavarur dhe vendimit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për të bojkotuar Parlamentin. Por shqiptarët më në fund e kanë kuptuar modelin Rama: model që bën presion politik mbi çdo institucion të pavarur, sistematikisht derisa në fund kërkon t’i asfiksojë ato totalisht", theksoi Halimi. Sipas ministrit, kjo nuk është hera e parë që Edi Rama sulmon drejtësinë shqiptare kur nuk i pëlqejnë vendimet e saj dhe as e para që hesht kur vendimet e saj i vijnë për shtat. Kështu heshti zoti Rama kur djali i Gramoz Ruçit plagosi në mes të Tiranës një qytetar të pafajshëm dhe drejtësia e la atë të lirë. Sot përpara drejtësisë duhet të ishte vetë Edi Rama, arkitekti i vetëm i dhunës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit të së drejtës", u shpreh ai. Ministri i Drejtësisë akuzoi kreun e PS-së se që nga ajo ditë tragjike për familjet e viktimave dhe nga ai sulm i dhunshëm i institucioneve shtetërore, Edi Rama nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka politizuar këtë proces, duke ushtruar presion sistematik për dy vjet me radhë. "Në fakt, që nga ajo ditë tragjike për familjet e viktimave dhe nga ai sulm i dhunshëm i institucioneve shtetërore, Edi Rama nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka politizuar këtë proces, duke ushtruar presion sistematik për dy vjet me radhë, për çdo ditë dhe çdo minutë, mbi drejtësinë shqiptare, për të ardhur në këtë ditë kur i futi thonjtë në fyt një pushteti tjetër që nuk varet nga askënd", vijoi ministri Halimi.
***
Në ulërimat e tanishme kundër pushtetit gjyqësor që, me vendimin e gjykatës, duke i nxjerrë të pafajshëm ata që Edi Rama i donte t’i shihte thellë e më thellë të implikuar, u vërtetua sulmin i dhunshëm i institucioneve, gjithmonë me anë manovrimesh djallëzore në dobi të interesave vetjake. Nga ana tjetër, në faqen 61 të “Kurbanit” të tij flet për “dështimin katastrofik të Fatos Nanos të vitit 2005”, gjithmonë në një gëzim morboz të ardhjes së ditës së volitshme për të, në dobi të interesit të tij personal. Çdo të ndodhte me të sikur, pavarësisht se Rama e quan dështim katastrofik zgjedhjen e 2005-s, F. Nano të kishte ndjekur taktikën e tij, “Unë i fitova zgjedhjet, por m’i vodhën?”. A do t’ia merrte pushtetin paraardhësit me anë të nenit 28 të statusit të PS-së?. Ai i detyrohet elektoratit të majtë një përgjigje shteruese për këtë pyetje.