Gjykata e Tiranës i dorëzohet sot një pinjolli të Komitetit Qendror, të përndjekurit, apel që të respektohet rezoluta e Strasburgut
Të përndjekurit politikë denoncojnë shpërfilljen e rezolutës së KE-së “për dënimet e krimeve të komunizmit” nga ana e KLD-së dhe i kërkojnë Presidentit të Republikës të ndalë këto vendime politike me natyrë korruptive që po rrënojnë imazhin e shtetit shqiptar
Të përndjekurit politikë, kanë denoncuar dje tentativën e KLD-ës, për shpërfilljen e rezolutës së KE-së, “Për dënimin e krimeve të komunizmit”, duke promovuar dhe përgatitur votimin dhe emërimin në krye të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, të një personi sipas tyre që ka lidhje me krimet e komunizmit dhe me afera korruptive. Duke denoncuar “veprimet dhe vendimet politike me afera korruptive nga një organ kushtetues siç është KLD-ja”, në emër të Shoqatës së të Përndjekurve, Besim Ndregjoni, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, kërkon nga presidenti, njëherësh edhe kreu i KLD-ës, që “të distancohet publikisht nga zbatimi i skemës komuniste në sistemin e drejtësisë e cila po shkatërron çdo ditë e më shume fibrën morale të shoqërisë”. Nëpërmjet një letre të hapur, drejtuar Presidentit të republikës dhe kreut të KLD-së Bamir Topi, Besim Ndregjoni bënë të ditur se, “një javë para zgjedhjeve elektorale në konstatojmë veprime dhe vendime politike me afera korruptive nga një organ kushtetues siç është KLD-ja”. Më tej, Ndregjon denoncon në letrën e tij të hapur “vendimin e KLD-së, i cili para pak ditësh duke mos përfillur Rezolutën e KE-së, për dënimin e krimeve të komunizmit, promovoj në sistemin gjyqësor individë të përfshirë në afera korruptive. Këshilli i Lartë i Drejtësisë promovon individë të lidhur me komunizmin, bijë të anëtarëve të Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të diktaturës komuniste, njerëz të dyshimte, duke shfrytëzuar fushatën zgjedhore për të larguar vëmendjen e opinionit publik. Së fundi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka promovuar të birin e anëtarit të Komitetit Qendrore të Partisë së Punës të diktaturës komuniste të cilën pritet që ta emërojnë edhe kryetar të Gjykatës së Tiranës, duke dhunuar e shkelur hapur Rezolutën e Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mund të promovojë njerëz të cilët janë rrëzuar nga Parlamenti i Shqipërisë për arsye se kanë pasur lidhje me krimet e komunizmit dhe me afera korruptive. Duke shkelur në mënyre të hapur Kushtetutën pasi Parlamenti është organi më i lartë kushtetues i këtij shteti”, denoncon Ndregjoni emrin e përfolur të Artan Zenelit, për emërimin në krye të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. “I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës të distancohet publikisht nga zbatimi i skemës komuniste në sistemin e drejtësisë e cila po shkatërron çdo ditë e më shume fibrën morale të shoqërisë. Ju bëj thirrje anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të ndajnë drejtësinë nga e kaluara komuniste dhe nga korrupsion. Është e papranueshme që Parlamenti i rrëzon, kurse Këshilli i Lartë i Drejtësisë i promovon. Këto vendime të KLD-së, tregojnë se akoma institucionet kushtetuese të këtij vendi nuk janë ndarë nga e kaluara komuniste, por me një papërgjegjshmëri kombëtare sistemin e drejtësisë në këtë demokraci të brishtë, dhe kur shoqëria shqiptare ka më shumë nevoje se kurrë për drejtësi, ne shikojmë me keqardhje se skema e komunizmit në këtë sistem po shkatërron çdo ditë ndërgjegjen e shoqërisë duke u bërë pengesë për zhvillimin e demokracisë në vendin tonë”, shprehet më tej Besim Ndregjoni. Në përfundim të letrës së tij, Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës së të përndjekurve Besim Ndregjoni, i kërkon presidentit të republikës, të bëhet garant dhe të ndalë sa më parë këto promovime dhe skandale. “Ne i bëjmë apel Presidentit të Republikës, në emër të fisnikëve shqiptare që u martirizuan nga padrejtësia e ‘drejtësisë komuniste’ të bëhet garant dhe të ndali sa ma parë këto promovime dhe skandale që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Shoqëria shqiptare ka nevojë për drejtësi, se vetëm kjo e fut Shqipërinë në familjen e madhe euroatlantike për të cilët u sakrifikuan mijëra ish-të përndjekur politike nga regjimi komunist”, përfundon letrën e tij të hapur Besim Ndregjoni.
...