Zbulohet skema e vjedhjes së Erion Veliajt të 7 miliardë lekëve për punësimin e rinisë

Përfaqësuesi i lëvizjes “Zgjohu”, Altin Goxhaj fton Erjon Veliaj në ballafaqim publik për të bërë transparencën e 7 miliard lekëve të zhdukura
Denoncimet e përfaqësuesit të lëvizjes qytetare “Zgjohu”, Altin Goxhaj, për zhdukjen e 7 miliard lekëve të rinisë shqiptare nga Erjon Veliaj dhe bërjen transparente të burimeve të financimit të G 99, pritet sot të zbardhin vjedhjen më të madhe me fondet që do të përdoreshin për punësimin e të rinjve në Shqipëri. Përfaqësuesi i lëvizjes “Zgjohu”, Altin Goxhaj pret sot në një ballafaqim publik në Hotel “Tirana International”, Erion Veliajn, drejtuesin G 99-ës, i akuzuar për vjedhjen e 7 miliard lekëve dhe sigurimin e fondeve të dyshimta për financimin e lëvizjes së tij politike.
“E ftoj Erion Veliajn, 9 herë si përfaqësues të 9 organizatave që të na tregojë se ku janë 7 miliardë lekë që ai ia mori donatorëve për rininë shqiptare, por që rinia nuk i pa kurrë me sy. E ftoj Veliakn 9 herë për 9 organizatat e tij që të na tregojë xhepat meqë ka vite që bërtet dhe ulet për xhepat e të tjerëve. E ftoj Veliajn 9 herë për 9 Mjaft-et e tij që të na tregojë se kush fshihet pas tij dhe kush është qëllimi i mbështetjes së tij, duke shkatërruar të gjithë shoqërinë civile”, u shpreh Goxhaj, duke shtuar se në orën 10 të ditës së sotme, Erion Veliaj duhet të paraqitet në ballafaqim, ndërkohë që janë rezervuar 9 karrige si përfaqësues i 9 organizatave pas të cilave fshihet prej vitesh.
Ndërkohë, e gjithë seanca e sotme do të filmohet dhe një kopje do t’i çohet organeve të Prokurorisë si dhe 5 donatorëve të Velisë të cilëve iu mori 7 miliardë lekë për rininë shqiptare dhe të cilat i ndau me Arbër Maznikun dhe të vëllanë.
“E kuptoj shumë mirë që Veliaj do të spërdridhet duke përsëritur si një kasetofon i prishur se nuk ka kohë për të humbur me mua se po merret me hallet e minatorëve, tornitorëve, konviktorëve apo byrektorëve, por edhe nëse vjen edhe nëse s’vjen, transparenca e 7 miliardë lekëve që ai i zhduku me njerëzit e tij do të bëhet. Ai s’mund t’i fshihet më ligjit, dhe s’ka imunitet ta shpëtojë pasi edhe nëse larg qoftë ai do të marrë një mandat me dushkun e ri të Kodit Zgjedhor, ai do të jetë deputeti i parë që do t’i hiqej imuniteti për abuzime me paratë e të rinjve shqiptarë”, deklaroi më tej përfaqësuesi i lëvizjes “Zgjohu”, Altin Goxhaj. Ai ftoi median që të ndjekë këtë seancë të pandodhur kurrë më parë sepse, siç u shpreh ai, “Ata s’mund t’ia dalin”
...