Gjykata e Tiranes le ne burg oficerin e antidroges Anoril Canin

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg oficerin e antidrogës Anoril Canin dhe 4 bashkëpunëtorët e tij të arrestuar dy ditë më parë. Gjykata ka vendosur masën arrest me burg për 5 të akuzuarit për trafik droge ku ka vlerësuar se arrestimi i tyre në flagrancë ka qenë i ligjshëm. 31-vjeçari i cili më herët se seksioni i antidrogës kishte punuar në sektorin e përgjimeve, dyshohet se organizonte zonat e shpërdarjes së lëndës narkotike në Tiranë, garantonte për të shmangur gjurmimin nga kolegët e antidrogës, si edhe godiste apo u bënte presion rrjeteve të tjera të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet për shkak të territorit. Bashkëpuntorë të Anoril Canit konsiderohen edhe 4 të arrestuarit e tjerë Gentian Gjoka, Ilir Shehaj, Madrit Dule dhe Everest Hoxholli. Dy ditë më parë SHKB-ja dhe Policia e Tiranës bllokuan 54.3 kilogramë lëndë të dyshuar si heroinë, 7-8 kilogramë lëndë të dyshuar si kokainë dhe mbi 100 kilogramë përzierës. Oficeri Cani, ka qenë prej të paktën 4 muajsh nën hetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Tasf Forcë e Prokuorisë së Tiranës. Mësohet se gjatë seancës së sotme, Ilr Shehaj ka deklaruar se droga ka qenë e tij dhe se Oficeri Cani nuk ka patur dijeni për praninë e drogës në makinë. Anoril Cani po ashtu ka pohuar se nuk ka qenë në dijeni, dhe se makinën e kishte marrë për të takuar të dashurën e tij. Pavarësisht deklarimit të dy të akuzuarve gjyqtari Artan Gjermeni ka vendosur arrest me burg për 5 të pandehurit për trafik droge.