Gjykata e Tiranës rrëzon provat shkencore të FBI-së
Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm të enjten Armando Kasajn, ish- drejtorin e IT në zyrën e kryeministrit, që ishte akuzuar se kishte fshirë serverin ku ishin pamjet e trazirave të 21 janarit 2011.
Nga Besar Likmeta
BIRN
Bazuar në provat shkencore të dala në bashkëpunim me Zyrën Federale të Hetimit në SHBA, FBI, prokurorët kishin kërkuar një dënim me dy vite për Kasajn për pengim të drejtësisë.
Çështja lidhet me protestat antiqeveritare të 21 janarit 2011, që u kthyen në trazira pasi protestuesit e opozitës sulmuan barrikadat e policisë, të ngritura për të mbrojtur zyrën e kryeministrit Sali Berisha, duke përdorur shkopinj, gurë dhe kokteje Molotov.
Policia dhe Garda e Republikës u përgjigjën me gaz lotsjellës, topa ujëhedhës dhe më vonë me municion, duke lënë katër protestues të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas prokurorëve, pamjet e dy kamerave të vendosura pranë hyrjes në zyrat e qeverisë, ku u vranë protestuesit, ishin fshirë mbrëmjen e 21 janarit, menjëherë pas protestës, nga i akuzuari.
Testimet në server, të kryera në laboratorët e FBI, treguan se pamjet ishin kopjuar dhe formatuar nga i akuzuari, i vetmi person që kishte akses në server.
Pamjet e këtyre kamerave nuk u vunë kurrë në dispozicion të hetuesve.
Kasaj deklaroi në gjyq se ai vetëm sa kopjoi pamjet dhe më pas i dorëzoi tek Garda e Republikës.
Pas vendimit, Kasaj tha se gjykata kishte provuar se ai është i pafajshëm, kurse prokurorët thanë se do apelojnë vendimin.