E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekui: Vetëm heqja e imunitetit nuk ua jep statusin kandidat

Ndërkohë që mazhoranca thekson gjithmonë faktin se heqja e imunitetit duhet bërë për hir të marrjes së statusit kandidat, i dërguari i BE në Tiranë ndaj mendim ndryshe

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, i ka ftuar në sfidën e radhës politikanët shqiptarë. Ata duhet të lënë pas axhendën e pushimeve nëse vërtet duan që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Ambasadori i Bashkimit Europian, Sekui, ka deklaruar dje se vërtet ka shanse që statusi të merret në shtator, por për këtë Tirana zyrtare duhet të japë argumente bindëse Komisionit Europian dhe vendeve anëtare.

Ai ka pohuar se kjo çështje nuk mbyllet me miratimin e heqjes apo kufizimit të imuniteteve, pasi kusht i domosdoshëm është edhe mbyllja e reformës parlamentare. Duhet treguar vullnet politik për krijimin e një bilanci hetimesh dhe dënimeve të zyrtarëve të korruptuar. Duhet të zbatohen ligjet që janë miratuar në Kuvend, tha Sekui. Ambasadori i Bashkimit Europian Sekui, ka bërë të ditur se në vlerësimin e Brukselit merren për bazë vendimet që merren nga qeveria, ligjet e miratuara dhe masat e zbatimit të ligjeve.

Prioritet në vlerësimin e Komisionit Europian mbetet lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe reforma në drejtësi. Ndërsa ka dhënë vlerësim pozitiv për qeverinë për të drejtat e grave dhe komunitetin LGBT, ai ka thënë se ka vlerësim negativ për të drejtat e romëve, duke dhënë një sinjal kundër dhunës së ushtruar ndaj komunitet rom nga Bashkia e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›