Gjykata i jep fund “Gërdecit”, prokuroria më 3 tetor pretencën
Tiranë Një nga dosjet më të bujshme të drejtësisë shqiptare, çështja “Gërdeci” që numëron 29 të pandehur dhe qindra seanca gjyqësore, tashmë po shkon drejt fundit. Pas më shumë se tre vjetësh gjykim në plot 180 seanca gjyqësore, Gjykata e Tiranës shpalli dje të përfunduar hetimin gjyqësor për këtë çështje, duke i hapur kështu rrugën prokurorisë të depozitojë konkluzionet përfundimtare dhe masën e dënimit për secilin nga të pandehurit. Gjykata u ka lënë dy javë kohë katër përfaqësuesve të prokurorisë, të cilët më datën 3 tetor duhet të paraqesin konkluzionet e plota për secilin nga 29 të pandehurit që akuzohen për vrasje masive, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Gjatë seancës së djeshme, e cila nuk ka kaluar pa debat, gjykata pranoi provat shkresore të dorëzuara nga avokatët e disa prej të pandehurve, por rrëzoi kërkesën e njërit prej tyre për kryerjen e një akt-ekspertimi të një dokumenti zyrtar. Seanca e fundit që përmbylli maratonën më shumë se trevjeçare të këtij superprocesi është përfshirë nga debate të shumta mes avokatëve dhe gjykatës. Në fund, avokati që mbron ish-drejtorin e Uzinës së Poliçanit, Lavdi Shatro, kërkoi përjashtimin e trupit gjykues për njëanshmëri në procesin gjyqësor. Debati mes avokat Behar Pipero dhe kreut të trupit gjykues nisi pas kërkesës së mbrojtësit që gjykata të kryente një akt-ekspertim grafik për një dokument të lëshuar nga klienti i tij, ish-drejtori Shatro. Kërkesa e avokatit kishte në thelb ekspertimin e nënshkrimit të klientit të tij, në dokumentin e përdorur nga akuza, për të cilin nuk ishte kryer asnjë verifikim më parë, nëse ishte ose jo i falsifikuar. Por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga gjykata, e cila e rrëzoi menjëherë atë duke u konsultuar në vend. Pas vendimit të gjykatës, avokati kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, duke e cilësuar atë të njëanshëm në shqyrtimin e kësaj çështjeje, por për këtë kërkesë gjykata nuk u shpreh, duke vijuar me marrjen e provave shkresore nga avokatët e tjerë të të pandehurve. Avokati Andi Meçi, mbrojtës i ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, ka paraqitur në gjykatë një dokument të marrë nga dosje e prokurorisë, i cili sipas tij është i manipuluar. Sipas avokatit, në fashikullin gjyqësor ndodhet një dokument i manipuluar dhe jo origjinali, i cili e ka çuar akuzën në konkluzione të gabuara. Ndërsa prokuroria pretendon se Mullahi ka inicuar mbledhjen e Komisionit të Shitjes së Municioneve sipas shkresës origjinale, tha avokati. Mullahi i drejtohet Drejtorisë së Logjistikës, ndërkohë që në dokumentin e manipuluar ky subjekt mungon. Për të mbështetur këtë pretendim, avokat Meçi depozitoi në gjykatë dy dokumente të ndryshme, të cilët mbajnë të njëjtën datë, por subjektet të cilave u drejtohet janë të ndryshme. Për më tepër, shkresa në fjalë rezulton të jetë dërguar para udhrit të ministrit për kategorizimin e fishekëve që do t’i nënshtrohen demontimit dhe çmimin me të cilin këta fishekë do të shiteshin me qëllim demontimin. Kjo provë, së bashku me provat e tjera të depozituar në seancën e djeshme dhe një seancë më parë, u jep fund provave të mbrojtjes, duke i hapur kështu rrugën pretencës së prokurorisë dhe njëherësh mbylljes së superprocesit që, prej më shumë se tre vitesh, zhvillohet në Gjykatën e Tiranës.
Avokati: Të përjashtohen gjyqtarët e “Gërdecit”
Tiranë Në seancën e djeshme, avokati mbrojtës i të pandehurit Lavdi Shatro, ish-drejtori i Uzinës së Poliçanit, i akuzuar për falsifikim, kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, pasi po tregohet i njëanshëm në gjykimin e çështjes. Kërkesa e avokatit Behar Pipero erdhi pas vendimit të ndërmjetëm të gjykatës, e cila rrëzoi kërkesën e tij për kryerjen e një akt-ekspertimi të nënshkrimit që ish-drejtori Shatro ka hedhur në një dokument mbi të cilin është ngritur akuza. Por edhe kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues nuk u mor parasysh nga gjykata, duke bërë që në fund të seancës avokatët të braktisnin në mënyrë demonstrative sallën e gjyqit. Kodi i Procedurës Penale u njeh të drejtën palëve të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit ose trupit gjykues, në rast se ekzistojnë shkaqet e parashikuara në ligj. Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit hidhet në short dhe shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar.