E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vendimi, ja pse u rikthye në qeli gardisti i 21 Janarit

Gjykata e Lartë: Apelit ka ngatërruar objektin e shqyrtimit të çështjes, pasi ajo gjykatë ka analizuar elementet e provueshmërisë së veprave penale dhe jo masën personale të sigurimit

Tiranë Pak ditë pasi urdhëroi rikthimin në qeli të gardistit Sadik Çela, Gjykata e Lartë zbardh arsyet e këtij vendimi që rrëzon Gjykatën e Apelit, e cila urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia të të dyshuarit. Sipas vendimit me relatore kryetaren e Gjykatës së Lartë, zonjën Shpresa Beçaj, bëhet me dije se vendimi i Gjykatës së Apelit është rrjedhojë e interpretimit dhe zbatimit të gabuar të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale që parashikojnë masat e sigurimit, kushtet e kriteret për caktimin e tyre. Gjithashtu, shkalla më e lartë e gjyqësorit shprehet me vendim se vendimi i Apelit është rrjedhojë e ngatërrimit (konfondimit) të objektit të shqyrtimit të çështjes, pasi ajo gjykatë ka analizuar elementet e provueshmërisë së veprave penale për të cilat ka filluar procedimi penal, të cilat i përkasin një faze tjetër (asaj të gjykimit në themel të çështjes). Duke qenë se në këtë fazë çështja ka si objekt caktimin e masës së sigurimit personal për të dyshuarin, Kolegji Penal ka vendosur të prishë vendimin e Apelit dhe të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditë ndaj gardistit Sadik Çela, pjesë e “grupit të zjarrit”, siç cilësohet në kërkesën e prokurorisë. Prokuroria thotë se pas sekuestrimit të të gjitha armëve të përdorura nga efektivat e Gardës së Republikës në ditën e demonstratës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë, ato i janë nënshtruar ekspertimit balistik. “Sipas konkluzionit përfundimtar të aktit të ekspertimit balistik nr.1022, datë 08.02.2011, rezulton se: nga 131 gëzhojat e gjetura në vendngjarje, brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe kryesisht në pozicionet ku ishin vendosur rojet e Gardës së Republikës, 117 prej tyre janë qitur nga 51 automatikë 9 mm të sekuestruar te Garda e Republikës”- citohet në kërkesën e prokurorisë me objekt kundërshtimin e vendimit të Gjykatës së Apelit. Po sipas dosjes, rezulton se personi nën hetim, Sadik Çela, pohon se ka qenë një nga efektivët e Gardës së Republikës që ka bërë qitje paralajmëruese në ajër, pasi është hapur me forcë porta kryesore e rrethimit të Kryeministrisë, por, sipas tij, këto qitje i ka kryer në përputhje me rregulloren (duke kontrolluar këndin e tytës së armës gjatë qitjes në ajër) dhe se qitja në ajër është bërë pas paralajmërimit disa herë me megafon. Pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata e Lartë vendosi ta rikthejë në qeli gardistin, të cilit i mbetën edhe 10 ditë paraburgim, kohë kjo në dispozicion të akuzës për të paraqitur prova të reja nëse do të sigurohen gjatë hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›