E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, koha për të dhënë drejtësi e për të rrëzuar akuzat pa prova të Xhevat Hanës

Në një intervistë të dhënë dje për një gazetë të përditshme, ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit z.Fatos Klosi mohonte faktin të kishte ndonjë informacion që të ngarkonte SHIK-un për zhdukjen e personit të quajtur Remzi Hoxha. Deklaratat e z.Klosi të bëra në kuadër të një interviste për çështje të tjera politike si “kuadri zgjedhor”, “referendumi për kushtetutën”, etj, i dhanë një dritë diçka më të madhe abuzimit të organit të akuzës në lidhje me “çështjen Remzi Hoxha”. Klosi pohoi se në Arkin e SHISH-it nuk kishte asgjë për atë që ishte mëtuar deri më sot se gjendej në këtë institucion e që do të mund të sillte ndjekje penale për 3 ish punonjësit e SHIK-it. Pohimi i z.Klosi ndonëse mund të klasifikohet si nxjerrje sekrete për vetë statusin që ai ka pasur, nxori një të vërtetë të madhe që vihet re edhe në kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.94 të ish-hetuesit Xhevat Hana, sipas së cilit në Arkivin e SHISH-it nuk ka asgjë që do të çonte në forcimin e akt-akuzës së prokurorit.
Disa javë më parë, një e përditshme tjetër e njohur për zellin e madh në mbrojtje të përbaltjes së punës së Shërbimit Informativ Kombëtar, botonte letrën që i dërgonte Fatos Klosi, Avokatit të Popullit për këtë çështje, ku mëtonte se kishte prova për të akuzuar 3 ish punonjësit e SHIK-ut. Shkurt fare, del se 3 të proceduarit për herë të dytë janë marrë të pandehur pa asnjë provë.
Në kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.94 të vitit 2006, prokurori i çështjes, ish-hetuesi Xhevat Hana, thotë se 3 personat që sipas tij janë ndaluar nga SHIK-u akuzoheshin se “kishin kryer aktivitet armiqësor kundër Republikës së Shqipërisë, se ishin agjentë të zbulimeve të huaja, se kishin futur armë të llojeve të ndryshme dhe se i kishin shpërndarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë etj, etj”. Si prokuror i popullit, ai kishte për detyrë të sqaronte opinionin nëse ishin apo jo të vërteta këto akuza. Nëse po cili ishtë roli i prokurorit Hana në këtë çështje dhe çfarë mbron ai.
Ka ardhur koha që gjykatat shqiptare të jenë jo vetëm të përgjegjshme para ligjit por edhe para interesave kombëtare në mënyrë që të mos bëhen vende padrejtësish dhe qoshe rehabilitimi për personat që me akuzat e mësipërme (e përsëris) “për aktivitet armiqësor kundër Republikës së Shqipërisë, agjentë të zbulimeve të huaja” etj, nuk do të kishte shtet në botë që do t’i merrte në mbrojtje.
Kërkesa për gjykimin e procedimit penal nr.94 të vitit 2006 me nënshkrimin “Xhevat Hana” i takon shkollës së drejtësisë sovjetike, ku prova nuk kishte shumë rëndësi. Për fat të keq ish-hetuesi Xhevat Hana e ka të pamundur të transformohet në prokuror të një shteti të së drejtës, pasi përvoja e madhe e marrë me të pandehur të sipas tij cenonin ekonominë socialiste, rëndom me fatura dyqanesh, shitësa, etj, nuk ka bërë tatëpjetë profesionale pavarësisht nga fresku bregdetar i Sarandës apo flladi metropolitan i Tiranës.
Ish të përndjekurit politikë janë në procesin e hartimit të promemorieve për mekanizmat e diktaturës komuniste si hetues, gjykatës, prokurorë, operativë Sigurimi etj, të cilët ishin shprehja më e drejtpërdrejtë e enverizmit.
Në këtë koment të shkurtër, gazeta gjen rastin ta pyesë z.Hana: A ka torturuar ndonjëherë kur ka qenë hetues në Sarandë dhe Tiranë dhe a do të jepte dorëheqjen nëse ndonjë i pandehur i tij i dikurshëm do të kërkonte fillimin e ndjekjes penale për të për ushtrim dhune në kundërshtim me legjislacionin e kohës të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë?
Në fund fare shteti shqiptar nuk duhet të bëhet pagues i pafund i ish-të pandehurve që marrin pafajësinë. Nëse një person i marrë i pandehur del i pafajshëm paratë nuk duhet t’i paguajë shtetit si dëmshpërblim, por prokurori i çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›