E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, gallata që s’duhet të bllokojë reformën zgjedhore

Partitë politike të së majtës, po bëhen pengesa kryesore e përfundimit të reformës zgjedhore me të gjithë kuadrin kushtetues të saj. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese një muaj më parë, që shënoi edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, nga mazhoritaro-proporcional në proporcional rajonal, ka shkaktuar edhe amullinë e pazgjidhshme tek partitë e vogla opozitare. Reformës zgjedhore, po i krijohet një terren nga partitë politike si një cështje e dorës së dytë, duke zgjatur dhe stërzgjatur mandatin e komisionti të posacëm të reformës zgjedhore, ku priten të diskutohen edhe ndryshimet përkatëse në kodin elektoral. Opozitarët e vegjël, kundërshtojnë fuqimisht madje dhe nxjerrin pretekste të ndryshme për sistemin e sapo miratuar dhe duke mos mbajtur premtimin e tyre se në kërkesën e referendumit, do të kërkojnë zgjidhje vetëm për ndryshimet që iu bënë modalitetit për zgjedhjen e Presidentit dhe mocionin ndaj Kryeministrit, por që realisht në referendum kërkohet të përfshihet edhe sistemi zgjedhor. Në këtë drejtim, LSI, PAD dhe PDS, kanë filluar mësymjen kërcënuese se do të mbledhin 50 mijë firmat në popull për të fituar të drejtën e mbajtjes së referendumit. Kësisoj, në kushtet kur reforma në sistemin zgjedhor, duhet të përfundojë një kohë e më parë, parti e vogla të trembura nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, intrigojnë dhe protekstojnë ide dhe formate të paqëndrueshme për sistemin e ri zgjedhor. Megjithatë, në axhendën ditore politike është trajtuar edhe reforma në sistemin e drejtësisë, pavarësisht se nuk është mbyllur akoma ajo në sistemin zgjedhor. Përqëndrimi i vëmendjes tek reforma në drejtësi, në një kohë kur nuk kanë mbetur më shumë se një vit dhe vendi do të përballet me zgjedhjet parlamentare, është më se e nevojshme që reforma elektorale të përfundojë sa më parë, duke mos orvatur edhe punën e komisionit të posacëm zgjedhor. Partia Socialiste premtoi javën e kaluar se brenda një jave përfundon draftin e saj për reformën zgjedhore, një nga reformat më të rëndësishme në vend. Sipas saj, grupi i punës në selinë rozë është duke përshtatur ndryshimet kushtetuese për këtë cështje me Kodin Zgjedhor. “Ne kemi punuar për t‘i dalë përpara, për të mos vonuar reformën zgjedhore në mënyrë që Kodi Zgjedhor të mos bëhet pengesë për zgjedhjet e ardhshme”, ka pohuar Leskaj. Por, sic edhe dihet, thembra e Akilit në reformën zgjedhore mbetet sistemi zgjedhor. Partitë e vogla kërkojnë me ngulm që sistemi proporcional rajonal të korrektohet me proporcionalin kombëtar, një ndryshim që sipas tyre mund të përfshihet në Kodin Zgjedhor. Por duke iu përmbajtur ndryshimit në Kushtetute, le të kuptohet se nuk do të ketë asnjë korrektim. “Sistemi do mbetet ai që është miratuar në Kushtetutë. Domethënë një sistem proporcional rajonal dhe besoj se s‘do ketë ndryshime të tjera”, ka theksuar Leskaj. Ndërsa, bashkëkryetari i komisionit të posacëm për reformën zgjedhore, Kastriot Islami, ka theksuar se “reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda sesionit parlamentar të verës”. “Reforma pritet të kalojë tashmë, në aspektin ligjor, pasi konceptimi i saj përmes përcaktimit të sistemit zgjedhor qartësohet, nëpërmjet amendamenteve kushtetuese”, tha ai. Sipas tij, Partia Socialiste ka tashmë një platformë të qartë madje me një përcaktim kushtetues. Nisur nga ky qëllim sipas, Islamit, të gjithë mekanizmat parlamentarë janë prezent dhe në momentin që do të jenë të gatshme këto përcaktime, parlamenti shqiptar do të realizojë ndryshimet në kodin zgjedhor dhe plotësimin e asaj që quhet reformë zgjedhore. Ndërkohë që, një nga reformat që pret të jetësohet në Kuvend është ajo për drejtësinë, për të cilën ka një vendim të Kuvendit, për ngritjen e një nënkomsioni parlamentar. Kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj e zhvendos përgjegjësinë për nisjen nga puna të këtij nënkomsioni tek qeveria, në një kohë që pakti i saj për drejtësinë është një dokument që pret diskutime. “Natyrisht që ky komision të fillojë nga puna ka nevojë për materiale dhe është qeveria që duhet të sjellë këto materiale, në mënyrë që të vazhdohet me reformat”, ka shtuar Leskaj. Ajo që bëhet gjithnjë e më e dukshme është se dy partitë e mëdha janë të një mendjeje për dy nga reformat më të rëndësishme në vend. Deklarata e kryeministrit Berisha, që mori në konsideratë propozimin e kryetarit të PS, që çështja e imunitetit të diskutohet brenda paketës për drejtësinë, le të hapur rrugën për vijimin e një bashkëpunimi tjetër dypalësh, pas atij të 21 prillit për ndryshimet kushtetuese. Megjithatë, mos pajtimi i partive të vogla me këto ndryshime kushtetuese, ka bërë që LSI, PAD, PDS, të kërkojnë referendum popullor, duke u fokusuar më tepër tek ndryshimet për zgjedhjen e Presidentit dhe mocionin ndaj Kryeministrit. Por, trembja ndaj sistemit të sapomiratuar, bën që ata në kërkesën e tyre për referendum kushtetues të përfshijnë edhe sistemin zgjedhor. LSI ka nxjerrë një tjetër pretekst të ri, atë të cështjes së pragut dhe vështirësitë që mund të shkaktojë. “Çështja e pragut elektoral duket se, do krijojë vështirësi themelore. Rritja e tij në mënyrë natyrore në disa rajone, do të krijonte një dushk të ri”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Propozimin i LSI-së është vendosja e një pragu të barabartë për të gjitha rajonet i cili do të vendoste në pozita të barabarta të gjitha partitë por dhe zgjedhësit. “Ne kërkojmë që të ketë një prag të barabartë të njohur për të gjithë, qoftë ky rajonal, por ama të gjitha rajonet dhe votat e shqiptarëve të vihen në raport të barabartë”, u shpreh Vasili. LSI ka kundërshtuar sistemin proporcional rajonal, i cili ngre në mënyrë artificiale pragun elektoral, pasi krijon disproporcion mes votës së zgjedhësve në rajone të ndryshme. Ndërsa nga ana tjetër, Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, është shprehur ndryshe, duke u fokusuar tek ndryshimet që duhet të pësojë komisioni i posacëm për reformën zgjedhore. “Të kemi një format të njëjtë, pra komision të posaçëm për reformën zgjedhore, por me bashkëkryetarë të rinj, për të diskutuar për kodin elektoral. Diskutimi për reformën zgjedhore nuk mund të bëhet vetëm me pjesëmarrjen e dy partive, por të gjitha partive parlamentare”, tha Ceka. Sipas tij, sistemi që sapo u miratua kërkon dhe një korrektim kombëtar. Ceka hedh idenë e zonave të balancuara me numër të barabartë zgjedhësish. “Duhet që zonat zgjedhore të bëhen në mënyrë të balancuar, pra që të kenë numër të barabartë deputetësh për të gjithë vendin, duke mos kaluar të disproporcione të tilla, siç janë aktualisht me sistemin rajonal të sapo miratuar”, tha më tej ai. Një ditë pas ndryshimeve kushtetuese, faktori ndërkombëtar në vend i përshën deti ndryshimet kushtetuese të miratuara dy ditë më parë në parlament, e më shumë se ndryshimet ata vlerësuan konsensusin e gjerë të arritur mes dy formacioneve politike, të djathtës dhe të majtës. Ambasadorët e OBSE-së dhe të KE-së i përshëndetën ndryshimet kushtetuese sa i takon reformës zgjedhore, për konsensusin e gjerë të arritur, por Lohan theksoi se këto ndryshime do të analizohen me kujdes nga përfaqësuesit e BE-së në qendër, ndërsa Bosch e quajti “të pamjaftueshëm” kohën për të debatuar sa i takon zgjedhjes së Presidentit. Bosch e Lohan reaguan dje, njëri me një njoftim për shtyp dhe tjetri në një prononcim për mediat, pas një leksioni në një universitet privat. “I takon parlamentit shqiptar që të diskutojë këto ndryshime, si të sistemit zgjedhor ashtu edhe të Kushtetutës, do t’i analizojmë me shumë kujdes këto shtesa të futura në Kushtetutë”, - tha dje Lohan. Bosch nga ana e tij, sipas njoftimit për shtyp, theksohet se ai nuk ka dashur të komentojë thelbin e ndryshimeve kushtetuese për çështjen e Presidentit, “që nuk lidhen me reformën zgjedhore”, por vuri në dukje “mungesën e kohës së mjaftueshme për një debat të gjerë me përfshirjen e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë”, - citohet nga njoftimi i OSBE-së. Nuk kanë munguar vlerësimet për konsensusin e arritur, pasi duket që faktori ndërkombëtar vlerëson këtë frymë bashkëpunimi mes së djathtës dhe së majtës. Bosch i cilëson ndryshimet në reformën zgjedhore si zbatim të rekomandimeve të vitit 2005, por kërkon që në debatin për Kodin Zgjedhor, të zgjidhë çështje të tjera të debatueshme, “çështje si administrimi i zgjedhjeve, ankimet dhe apelimet në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, financimi i partive politike dhe pjesëmarrja e grave mbeten ende për t’u adresuar. Debati për Kodin Zgjedhor duhet t’i zgjidhë përfundimisht edhe këto çështje”. OSBE-ja prej vitesh monitoron proceset zgjedhore që mbahen në Shqipëri, e deri më tani ajo ka rezervuar vetëm vërejtje sa i takon zgjedhjeve shqiptare. Lohan, pa bërë analizën e ndryshimeve, që duket se do të vijnë nga ekspertët e BE-së, vlerësoi vetëm konsensusin. “Nuk jam shumë i sigurt se sa ishte shumica e votave në ndryshimet e sistemit zgjedhor, por kjo tregon se ka pasur një konsensus të gjerë në parlament në lidhje me ndryshimet e bëra”, - u shpreh ambasadori i KE-së në Shqipëri. Sipas tij, ka shumë sisteme zgjedhore në vendet anëtare të BE-së, që gjithsecili prej tyre janë demokratikë, “por u takon ligjvënësve shqiptar për të vendosur se cili sistem është më i përshtatshëm për vendin e tyre”.
LSI formalizon këtë javë kërkesën për referendum/LSI do të formalizojë kërkesën për referendum këtë javë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë, ajo i kërkon insitucionit zgjedhor të mos ndikohet politikisht. Vasili shprehet i sigurt se askush nuk do të mund të ndalojë të drejtën e organizimit të referendumit. Madje ai i kërkon dhe dy pative të mëdha të reflektohen dhe të bëhen pjesë e asaj që ai e cilësoi puçin më të rëndë kushtetues. Sekretari i Përgjithshëm i LSI deklaron se kanë gati firmat për organizimin e referendumit, madje pjesë e firmëtareve sipas tij do të jenë dhe emigrantëve. Mbledhja e tyre do të fillojë menjëherë sapo KQZ të formalizojë kërkesën e iniciuar nga LSI.

 Nga Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›