Hapja e dosjeve, një domosdoshmëri për të pastruar ndërgjegjen e klasës politike shqiptare
Hapja e dosjeve të regjimit komunist, po përcaktohet nga politika shqiptare si një standard që duhet përmbushur sa më parë, por se për këtë nuk nevojiten vetëm fjalët e tepërta mediatike, po fillimi i punës konkrete. Jemi mësuar të dëgjojmë vazhdimisht, për të ashtuquajturit si, ish-sigurimsa të shtetit komunist, të cilët për fat të keq, vazhdojnë të gjallojnë në jetën politike të vendit dhe në institucione të rëndësishme të administratës shtetëtore. Kjo kategori mercenarësh të epokës së Enverit, jeton dhe shijon e qetë paqen që ka vendosur demokracia, por nuk mund të jetëtojë në paqe vetë shoqëria, kur sheh se varet nga xhelatët dhe këta xhelatë përpiqen të japin dhe të vendosin drejtësinë në vend. Kemi parë gjithashtu se është thënë që u hap drita jeshile për hapjen e dosjeve, por që në fakt ka mbetur në suazën e arkivave të medias dhe asgjë më tej. Si një mundësi për të dënuar krimet e diktaturës komuniste, bëhet mirë të sheshohen të gjitha arkivat, ku janë të dokumentuar ato që kanë hequr ish të persekutuari e të përndjekurit politikë dhe të bëhen të ditura mediatikisht të gjitha rolet dhe funksionet e secilit sigurims që në rastin konkret ka edhe pseudonimin përkatës që gjatë kohës kur ka operuar dhe që ka punuar për forcimin e bazave të sistemit komunist dhe forcimin e pushtetit elitar autokratik të Enverit. Është bërë në moto tashmë që sa herë të flitet për hapjen e dosjeve, vëmendja përqendrohet tek pastrimit i ndërgjegjes shoqërore, për të larguar nga jeta politike dhe administrative të gjithë ata individë që për afro 50 vjet, jetuan me dhunën dhe degjenerimin e shqoërisë shqiptare, në favor të forcimit të pushtetit komunist enverist. Por për realizimin e kësaj cështjeje, duhet edhe vullneti i forcave politike. Nga ana e saj Partia Demokratike, ka qenë forca e parë politike në vend që ka marrë iniciativën për miratimin e një rezolute në parlament në vitin 1995, me synim krijimin e një filtre nga i cili të kalonin të gjithë zyrtarët e latë të shtetit të zgjedhur apo të emëruar. Megjithatë, edhe kjo përpjekje nuk arriti të zgjidhë në thelb këtë problem sa të thekshëm aq edhe madhor. Fillimisht, forca politike që fshihej pas cështjes së dosjeve ishte PS, pasi është fakt që ndalimi i disa prej figurave kryesore të kësaj partie për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 1966 me pretekstin se kishin qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, u interpretua nga politika e majtë si një shantazh që i bëhej opozitës. Partia Socialiste për vite dhe aktualisht ende vazhdon të ruajë të pandryshueshme lidhjet dhe trashëgiminë me diktaturën komuniste, pasi në kryesinë e kësaj partie janë bijtë e etërve të tyre, që dikur ishin anëtarë e drejtues të PPSH. Gjithashtu, PPSH, është e vetmja parti ndër partitë ish-komuniste që nuk u shkri, por thjesht ndryshoi emrin, duke mos ndryshuar as selinë. Në këtë mënyrë shoqëria shqiptare e indoktrinuar deri në palcë nga regjimi komunist, vazhdon të bashkëjetojë me mitin e dosjeve. Tentativat e kryera në vite për hapjen e këtyre dosjeve mbetën në fazën e tyre fillestare për të mos thënë se dështuan plotësisht. Në rastin e hapjes së dosjeve, ne kemi mbetur shumë pas vendeve të rajonit të cilat kanë patur histori të ngjashme. Çekia, Rumania apo dhe Gjemania e këtë kanë përfunduar proçes dhe kanë superuar edhe pasojat e tij. Në Kuvendin e Shqipërisë ndodhen tre projektligje pikërisht për këtë çështje. Por në më shumë se dy vjet asnjëri prej tyre nuk ka patur shansin të futet në proçedurë parlamentare për tu diskutuar dhe më pas miratuar. Politika e djathtë, është shprehur e vendosur për intensifikimin e bashkëpunimit dhe fillimin nga puna të procesit të hapjes së dosjeve për ish sigurimsat e shtetit komunist. Mazhoranca parlamentare e udhëhequr nga PD, është përpjekur për vite me radhë që të zbardhë të gjithë të inkriminuarit në çështje të sigurimit të shtetit, gjatë përiudhës së egër komuniste, maoiste. Deputetë të PD kanë konfirmuar se PD duhet të fillojë të bëjë dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, në mënyrë që t’i largohemi njëherë e përgjithmonë asaj të kaluare të dhimbshme nën terrorin e egërsisë komuniste. Në të njëjtën linjë mendimi është shprehur edhe aleatja, Partia Republikane, ‘pro’ hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit. Kreu i Grupit Parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, deklaroi se “ne republikanët jemi deklaruar plotësisht për të bërë një proces transparence në këtë drejtim, në përputhje me të gjithë rekomandimet e ndërkombëtarëve”. “Qëndrimin tonë ne e kemi bërë publik me draftet e paraqitura në Parlament”, tha Madhi. Sipas tij, këto drafte janë të përfshira eventualisht në axhendën e punës së Kuvendit dhe do të jepet kontributi në momentin që ato do të programohen. Ndërsa Kryetari i Bashkimit Liberal Demokrat, Arjan Starova, shprehu qëndrimin e kësaj force politike për hapje të dosjeve të periudhës së sistemit komunist. Starova tha se “është një proçes që duhet të ishte bërë prej kohësh dhe do të ishte më e mira që të mos humbej më kohë në këtë drejtim, sepse këto dosje, janë pjesë e një debati publik, e një pakënaqësie dhe është një detyrë dhe një shqetësim i politikës së vërtetë shqiptare”. Sipas tij, nuk duhet më të spekullohet me këto dosje. “Është mirë të hapen dhe kam besim që meqënëse kjo nismë është tashmë në duart e Parlamentit, dhe për këtë është prononcuar disa herë dhe Kryetarja Topalli, besoj që do të jetë një proces që do të nisë së shpejti”, tha Starova. Përsa i takon rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë çështje në vitin 2006, theksohet se rezoluta ka konfirmimin që duhet të hapen dosjet, por nga rezoluta deri në hapje duhet bërë një hap tjetër, duhet bërë një ligj, duhet të merret një nismë ligjore dhe se PD si partia më e madhe e koalicionit të djathtë duhet ta nisë. Gjatë qeverisjes së parë të PD-së, që u referohet viteve të para të ’90-ës, pati përpjekje serioze për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, pasi u miratua legjislacioni përkatës dhe filloi të zbatohej ky legjislacion. Por, ky proçes u ndërpre pas ardhjes së të majtës në pushtet në vitin ‘97 dhe me kalimin e viteve procesi gradualisht u sfumua. Dihej se majta shqiptare nuk kishte vullnet për të bërë dekomunistizimin. Zakonisht ky është mision i së djathtës, dhe me riardhjen e saj në pushtet në vitin 2005 ky proçes duhej të vazhdonte, në mënyrë që shoqëria shqiptare, edhe pse disi vone, të ndahej një herë e mirë nga ajo e kaluar e hidhur.