E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Strasburgu dha mbështetje absolute për kursin reformator në Shqipëri

Zyrtarë të Këshillit të Europës në Strasburg i shprehën mbështetjen Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për ecurinë e reformave në Shqipëri, në kuadër të procesit të integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Znj. Topalli, e cila ndodhet në Strasburg, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e kryeparlamentarëve të vendeve të Këshillit të Europës, zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të KE-së, si dhe me homologë të saj, të cilët shprehën vlerësimin e tyre për progresin e kënaqshëm të reformave në Shqipëri. Në fjalën e mbajtur në Strasburg, kryeparlamentarja trajtoi progresin, sfidat dhe angazhimin e gjithë faktorëve të politikës shqiptare drejt perspektivës evropiane të vendit. Ajo shprehu besim në përmbylljen brenda këtij viti të procesit të ratifikimit të MSA-së, Shqipëri-BE. Kjo më pas do t’i hapte rrugën kandidimit të saj për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Lidhur me përmbushjen e programit qeverisës, ajo vuri në dukje prioritetin absolut që qeveria i ka kushtuar luftës kundër krimit dhe korrupsionit, fenomene që jo vetëm cënojnë stabilitetin ligjor të shtetit, por edhe dëmtojnë rëndë imazhin dhe demokracinë funksionale. Znj. Topalli nënvizoi dhe angazhimin serioz të Shqipërisë për përafrimin dhe zbatimin e ligjeve të BE-së, përmes miratimit të dhjetra ligjeve që prekin fushën e të drejtave të njeriut, ligjin për organizimin e gjyqësorit, etj. Po ashtu, kryeparlamentarja vuri në dukje miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese me konsensusin më të gjerë politik të arritur ndonjëherë më parë. Axhenda e kryeparlamentares në Strasburg përfshinte takime me një numër zyrtarësh të lartë të KE-së, të cilët vlerësuan ritmin e kënaqshëm të reformave në Shqipëri. Kryetari i Asamblesë Parlamentare të KE-së, Luis Maria de Puig, në takim me znj. Topalli, u shpreh se “Shqipëria ka bërë progres dhe reformat e ndërmarra janë të admirueshme. Reformat kushtetuese nuk janë të lehta për t’u bërë në të gjitha vendet, por reforma kushtetuese e Shqipërisë është e admirueshme”. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i KE-së, Terry Davis, pas një takimi me znj. Topalli, shprehu “impresionet e tij nga progresi i bërë në Shqipëri dhe mbi të gjitha nga klima politike, që ka ndryshuar pozitivisht”. Vizita në selinë e KE-së u shoqërua me një numër takimesh që znj. Topalli zhvilloi me parlamentarë të vendeve europiane, nga të cilët siguroi përkrahje dhe mbështetje për reformat e nisura në Shqipëri dhe që po konsolidohen në vazhdimësi drejt plotësimit të aspiratës euroatlantike.
Topalli në Bruksel në takimin parlamentar mbi perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor/Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, do të marrë pjesë në takimin e përbashkët parlamentar mbi Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet në Parlamentin Europian, në Bruksel me temë: “Arritja e perspektivës Europiane për Europën Juglindore”, në datat 26 dhe 27 Maj. Takimi Plenar do të drejtohet nga President i Parlamentit Europian Z.Hans-Gert Poettering dhe Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, e cila mban kryesinë e radhës së BE-së, France Cukjati.Gjatë sesioneve të takimit, do të mbahen fjalime nga Kryetarë të Parlamenteve Kombëtare të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që një nga temat e diskutimeve do të jetë “Strategjia e Komisionit Europian drejt Ballkanit Perëndimor”, e mbajtur nga Komisionieri për Zgjerimin Europian Olli Rehn. Kryetarja e Kuvendit pritet të mbajë një sërë takimesh me europarlamentarë dhe homologë të Parlamenteve të Europës Juglindore. Në fjalimet e personaliteteve të larta europianë do të trajtohen cështje si “Roli i Parlamenteve në Integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian” si dhe problemet që lidhen me politikat e vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›