E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata konteston fitoren e Zijadin Selës në Strugë

STRUGE –“Populli ishte më meritor për respektimin e demokracisë, ndërsa ata që dëshironin ta rrënonin atë ishin institucionet e shtetit. Edhe njëherë këto institucione dëshmuan se janë kundër demokracisë, kundër zhvillimit dhe pro përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike”. Kështu ka reaguar fituesi nga zgjedhjet vendore Zijadin Sela në Komunën e Strugës, lidhur me vendimin e Gjykatës Administrative të Maqedonisë për rivotim në këtë rajon.

Gjykata në fjalë i pranoi ditë më parë paditë e parashtruara të partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE për parregullsi në Strugë, por edhe në Komunën Qendër të Shkupit, kësisoj edhe duke miratuar vendimin për përsëritjen e raundit të dytë të votimeve në këto dy komuna. Një vendim i tillë vjen edhe përkundër faktit se paraprakisht ankesat zgjedhore të partisë së kryeministrit Nikolla Gruevskit u refuzuan nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Akti i gjykatës pasoi vetëm pak çaste para zyrtarizmit të kryetarit të ri të Strugës.

Sela në një paraqitje publike akuzoi për keqpërdorime nga institucionet e shtetit, për presione dhe terrorizim të qytetarëve ditën e zgjedhjeve, duke theksuar pjesëmarrjen e lartë të forcave policore brenda në vendvotime. “Të gjithë këtyre që duan të godasin mbi demokracinë dhe marrëdhëniet ndëretnike unë dhe populli i Strugës ju sigurojmë se nuk do t’i lejojmë. I fituam dy herë dhe do ti fitojmë edhe herën e tretë. Unë apeloj tek qytetarët që të mos bien në provokime”, ka thënë Sela.

Edhe nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, Subhi Jakupi ka deklaruar se është i habitur me vendimin e Gjykatës Administrative për rivotime për raundin e dytë në komunat Strugë dhe Qendër. “Jam i befasuar me vendimin e gjykatësve, pasi që vendimi ynë lidhur me ankesat e partive për parregullsi në Strugë dhe Qendër ka pasur bazë ligjore dhe nuk besoj se ka pasur parregullsi në aq vendvotime”, ka theksuar Jakupi.

Ndryshe, pas Kërçovës, Struga ishte Komuna ku në zgjedhjet vendore u zhvillua një betejë e pastër etnike, duke u gjendur të gjitha partitë politike shqiptare pas një kandidati dhe ato maqedonase pas kandidatit të tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›