E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngërçi në Këshillin e Qarkut Fier, PS mocion mosbesimi ndaj Artur Shehut

FIER - Në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Këshillin e Qarkut të Fierit, PS do të kërkojë një mocion mosbesimi ndaj Artur Shehut, në mënyrë që të largohet nga posti i kryetarit të Këshillit dhe t’i lerë vendin Vangjel Ndrekos, që sipas socialistëve është kryetari i ligjshëm i Këshillit të Qarkut.

Kryetari i PS-së së Fierit, Andjus Olldashi, bëri të ditur se brenda 10 ditësh do të paraqitet mocioni i mosbesimit ndaj Shehut. Sipas tij, pas bashkimit të votave mes PS-së dhe LSI-së, zoti Shehu nuk ka më mazhorancën në Këshillin e qarkut dhe nuk mund të pretendojë më detyrën e kryetarit.

“Tashmë Këshilli i Qarkut Fier është i vërtetuar në të gjitha format dhe mënyrat që i takon të majtës dhe kryetari është zoti Vangjel Ndreko dhe jo uzurpatori i cili rri në zyrat e Këshillit të qarkut. Unë i bëj thirrje Artur Shehut të largohet një orë e më parë nga institucioni i Këshillit të qarkut sepse tashmë ai nuk ka asnjë numër. Pesë këshilltarë të LSI-së nuk janë më me të, pra ai nuk ka asnjë mazhorancë. Shumë shpejt do marrim hapat e nevojshme, ashtu siç donte dhe shoku Sali dhe do ta largojmë jo vetëm Artur Shehun nga Këshilli i qarkut, por do ndërmarrim një aksion edhe në të gjitha komunat dhe bashkitë e tjera. Shumë shpejt do të bëjmë një kërkesë për thirrjen e mbledhjes së Këshillit të qarkut.”- deklaroi Olldashi.

Nga ana tjetër, Vangjel Ndreko akuzoi Artur Shehun se po mban peng Këshillin e Qarkut të Fierit. “Artur Shehu është i mundur jo vetëm në mënyrë ligjore po edhe me armën që ai ka përdorur vetë. Në këto momente jemi në kadrin bisedimeve që ka koalicioni i majtë dhe të gjitha këto ndryshime do të bëhen dora dorës, sipas dispozitave ligjore.”- u shpreh Ndreko.

Këshilli i Qarkut Fier ka në total 96 anëtarë, por listat që paraqesin të dyja palët e çojnë numrin e këshilltarëve në 103. Rivaliteti mes të djathtëve dhe të majtëve për Qarkun nisi që më 21 shtator të vitit të kaluar, kur Vangjel Ndreko u zgjodh kryetar. Më pas të djathtët kryen rikonstituime të disa njësive vendore, duke siguruar maxhorancën. Më 16 nëntor të vitit të kaluar, prefekti thirri mbledhjen e Këshillit, ku u zgjodh si kryetar Artur Shehu. Pas kësaj, mes të djathtëve dhe të majtëve kanë nisur një sërë betejash gjyqësore.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›