Gjykata lë në “arrest me burg” dy të akuzuar për trafik lëndësh narkotike

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot, izolimin në paraburgim deri në përfundim të hetimit për dy, nga katër personat e arrestuar pak ditë më parë në Elbasan, me 4 kilogram drogë të llojit heroinë. Me kërkesë të Prokurorisë, kjo Gjykatë caktoi sot masën e sigurisë së "arrestit me burg" ndaj shtetasve Gjergji Gjika, 29 vjeç dhe Bexhet Hidri, 40 vjeç nga Elbasani. Ndërkohë, ditën e nesërme Gjykata do të vlerësojë masat për shtetasit Thanas Bebi, 40 vjeç, dhe Mikel Dima, 38 vjeç, edhe këta banues në Elbasan. Personat e lartëpërmendur janë arrestuar tre ditë më parë në Elbasan në operacionin policor të koduar "Mesfushori 1", pasi po transportonin me dy makina rreth 4 kg heroinë, e cila kishte ardhur nga Maqedonia me destinacion tregun shqiptar. Çështja ndaj tyre po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
...