E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 5 vjet koncesioni, testohet dështimi i koncesionit të “Yilmaz Kablo”-s në Uzinën e Telave, Shkodër

Në mbyllje të 5 viteve të para të koncesionit të Uzinës së Telave që shteti shqiptar i ka dhënë firmës turke “Yilmaz Kablo”, autoritetet shtetërore dhe opinioni publik e ai profesional janë në momentin që mund të verifikojnë seriozitetin e bashkëpunimit, por edhe mund të bëjnë bilancin, nëse ia vlen të vijohet më tej. 5 vjet më vonë, kur tashmë koncesionit i kanë kaluar stacionet e dy monitorimeve të para nga autoritetet shtetërore, e para gjë që të shkon në mendje janë pyetjet se si ka mundësi që një firmë kontraktore të jetë kaq e papërgjegjshme në përmbushjen e detyrimeve të veta dhe se si ende nuk ka një supervizim skualifikues nga ana e autoriteteve shtetërore.
Nga një investigim krejt i thjeshtë, informohesh për tkurrjen e Uzinës së Telave në një punishte të thjeshtë të standardeve skandaloze teknologjike. Verifikimi i kontratës nxjerr një sërë të palarash. Së pari, garancia e paraqitur nga firma është pak më shumë sesa një letër bakalli e është një formular standard që i jepej secilit klient të degës së Stambollit të bankës Demirciles Bayrampasa, pavarësisht nëse ai ka 100 apo 100 milionë dollarë. Bash kjo (pak më shumë) letër bakalli është marrë parashysh nga Ministria jonë e Industrisë, korrikut e 2004-s, teksa akordoi koncesionin e Uzinës së Telave.
Pavërtetësia e shkresës konfirmohet nga investigimi i planit të investimeve të “Yilmaz Kablo”-s në përfundim të 5 viteve të para të koncesionit 30-vjeçar. Parakushtet për kryerjen e 10 milionë dollarë investimeve brenda këtij afati janë shkelur krejtësisht dhe merret vesh se investimet e deritanishme nuk e kalojnë shifrën e 1 milionë dollarëve. Po të anashkalojmë grabitjen e teknologjisë që iu bë Uzinës së telave, sapo u mor koncesioni, duke u nxjerrë makineritë jashtë, për t’u zëvendësuar me linja edhe më të vjetra, shkeljet e tjera vijojnë tek mospërmbushja e angazhimit për mbylljen e linjës së investimit, përmes realizimit të projektit për rehabilitimin e Uzinës së Pasurimit të Bakrit në Rubik. Kontrolli i sotëm në mjediset e uzinës nxjerr gjithçka në dritë. Plani i investimeve është injoruar krejtësisht, zgjerimi i hapësirës së koncesionit është shndërruar në një tallje dhe punëtorët janë të parët që e kanë kuptuar këtë realitet, teksa janë vazhdimisht në greva pa afat, për mosrespektim edhe të kontratave dypalëshe me zengjinët e “Yilmas Kablo”-s. Përfundimi i afatit 5-vjeçar thërret në skenë Ministrinë tonë të Ekonomisë, e cila në këtë stacion të koncesionit ka një rast të mirë për të ndalur një praktikë që tashmë nuk funksionon. Së paku për të nesërmen, mund t’i themi edhe publikut se vendosëm t’i themi zullumit “mjaft”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›