E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini refuzon negociatorët e Topit për Ligjin e Dosjeve

Kryetari i Partisë Socialiste s’ka pranuar ofertën e negociatorëve të presidentit të republikës, për të marrë përsipër publikisht përgjegjësinë për dërgimin e Ligjit të Dosjeve në Gjykatën Kushtetuese, duke e bërë të parëndësishëm firmosjen e ligjit prej kryetarit të shtetit. Presidenti Topi po pret deri në ditën e fundit, me shpresë se socialistët do ta ndërmarrin këtë hap, duke e nxjerrë atë nga pozicioni i vështirë ku është vendosur, nga refuzimi për të firmosur një projektligj që e ka paraqitur vetë në parlament, para 3 vitesh

Burime të mirinformuara për gazetën ‘55” bëjnë të ditur se vonesat e presidentit Bamir Topi në marrjen e një vendimi për Ligjin e Dosjeve lidhen me bllokimin e negociatave që ky institucion po zhvillon me eksponentë të Partisë Socialiste, për bllokimin e ligjit, përmes një procedure me sa më pak kosto publike për kreun e shtetit. Negociatorët e kabinetit të presidentit janë munduar gjithë këto ditë të marrin garancitë e nevojshme nga ana e deputetëve të Edi Ramës se ligji nuk do të lejohet asnjëherë të vihet në zbatim, për shkak të interesit parësor të socialistëve për të mbrojtur segmentet e veta të lidhura me ish-Sigurimin e Shtetit. E për këtë, është imagjinuar grishja publike që socialistët ta atakojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Ky paragjykim ka qëndruar në themel të sjelljes politike të Presidentit të Republikës dhe njerëzve të tij të afërt, të cilët duket se kanë një interes të skajshëm që projekti të mos nisë zbatimin e tij, por s’po guxojnë të marrin përsipër përgjegjësinë e kthimit të tij për rishqyrtim në parlament.
Së pari, analiza endet te fakti se ky kthim nuk do të ishte ndonjë pengesë përfundimtare dhe mazhoranca parlamentare e drejtuar nga Sali Berisha do ta rivotonte menjëherë projektin, ndoshta këtë herën e dytë në pozicione morale edhe më të forta dhe me kredenciale politike më spikatëse. Vetë kryeministri e deklaroi në një studio televizive se rivotimi do të ndodhte të nesërmen e kthimit të ligjit nga presidenti i republikës.
Faktori i dytë që po e shtyn Presidentin të vonohet deri në skadencën e afatit lidhet me faktin se vetë Presidenti është firmëtar i projektit, në ditët kur atëherë firma kishte një nocion mirëfilli politik e kur mjaft miopë mendonin se s’do vinte kurrë dita që projekti të merrej seriozisht. Tashmë këtë luks nuk e ka më presidenti Topi dhe negociatat finale, kryetari i shtetit nuk i ka më me përfaqësuesit e mazhorancës e as me përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë, që për të disatën herë, dje u keqpërdorën në kërkesat e tyre nga ana e institucionit që duhet të përfaqësojë unitetin e kombit.
Burime të mirinformuara bënë të ditur dje për “55”-n se negociatat finale po enden në gjetjen e rrugëve më të sigurta për të ndaluar futjen në zbatim të ligjit për hapjen e dosjeve. Për këtë qëllim, angazhimi publik i shefit të opozitës për ta atakuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese do të ishte një lehtësim i madh për presidentin e republikës, kundërfirma e të cilit, në këtë rast nuk do të merrte ndonjë rëndësi parësore, e do të shpëtonte disi imazhin e institucionit. Me këtë angazhim, ai do të mundej të firmoste i qetë ligjin për hyrjen në fuqi të Ligjit për Hapjen e Dosjeve, i sigurt se asnjë dëm nuk do të vinte, meqenëse do të ishte Partia Socialiste ajo që do të merrte zyrtarisht përgjegjësinë për bllokimin e nismës, me anë të një atakimi në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, deri më tani merret vesh se Partia Socialiste duket fort e vendosur të respektojë ndarjen e pushteteve e të presë deri në fund se ç’do të bëjë presidenti i republikës. Në fund të fundit firmosja e ligjit është një përgjegjësi ekskluzive e këtij të fundit dhe ai është i detyruar të japë një vendim e një arsyetim të prerë për këtë çështje. Presidenti Topi duhet të shprehet me dekretin e vet, nëse është apo jo për hapjen e dosjeve, e natyrisht edhe opinioni publik do të mundet më pas të bëjë analizën e vet se ç’e shtyu kryetarin e shtetit të dalë kundër nismës personale të tij, të ndërmarrë afro 3 vjet më parë.
Por edhe në qoftë se firma e presidentit Topi do të jetë pozitive, tashmë një hije e zezë është hedhur mbi këtë procedurë dhe zhvillimi i negociatave të ditëve të fundit - negociata që po shndërrohen në një apel ndihme që i drejtohet PS-së, në mënyrë që të jetë ajo lokomotiva për bllokimin e procesit - regjistrojnë një histori që lë shenjë mbi presidencën-gri, e që rrezik do të kërkojë sqarime të mëtejshme, qoftë nga institucioni i presidencës, qoftë nga negociatorët gjysmë të mandatuar të Edvin Ramës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›