Kalërimi politik i Kryeministrit maqedonas, Gruevski
Kalërimi politik i Kryeministrit nacionalist maqedonas, Nikolla Gruevski, me përpjekjet permanente për të "dëshmuar" dhe "provuar" me çdo kusht "prejardhjen antike" të maqedonasve të sotëm, po shfaqet sërish në arenën politike të Shkupit, me paralajmërimet për ngritjen e përmendores së Aleksandërit të Madh, pikërisht në sheshin e kryeqendrës. Për të manifestuar "guximin" tepër të madh dhe shumë joserioz, me pasoja ndoshta edhe shumë fatale për Maqedoninë, Gruevski hapin e këtillë e hedh në horizont, mu në momentin kur shtetit me stabilitet të brishtë, Maqedonisë, i nevojitet një unitet i shkallës së lartë i brendshëm i të gjithë faktorëve, si në aspektin e marrëdhënieve ndërnacionale, po ashtu edhe në aspektin e harmonizimit të qëndrimeve të faktorit politik shqiptar dhe maqedonas.
Dhe pikërisht ky guxim, ose siç e quajnë analistët e këtushëm politikë, mungesë vizioni për të ardhmen e Maqedonisë, po shkakton një konfuzion të paparë te njohësit e rrjedhave politike në rajon e më gjerë, sidomos te faktori politik shqiptar dhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi në Maqedoni. Dilema konsiston në faktin se aktualisht kur Maqedonisë i nevojitet një ndërtim dhe konsolidim i mirëfilltë politiko-shoqëror, me qëllim të sensibilizimit të opinionit dhe të shpalosjes së unitetit kundrejt faktorit ndërkombëtar, i cili në kontestin me Greqinë rreth emrit luan rolin e ndërmjetësuesit, shteti me demokraci dhe stabilitet të brishtë po manifeston një megalomani e padëgjueshmëri të paparë politike, të denjë vetëm për pushtetin e satrapit dhe kriminelit serb të luftës, Sllobodan Millosheviç.
Megalomania e ish-boksierit të dikurshëm, aktualisht Kryeministër, Gruevskit, në mënyrë të vazhdueshme dhe në forma të papara, dalëngadalë, por sigurt, po merr përmasa shqetësuese dhe dramatike te shqiptarët e Maqedonisë.
Hulumtimet e fundit të opinionit publik tregojnë se pakënaqësia e shqiptarëve ndaj kalërimit politik të Gruevskit në mënyrë enorme po rritet. Avazit të këtillë të rritjes së pakënaqësisë nuk po i ndihmojnë as disa përpjekjet qyqare të disa politikanëve shqiptarë në pushtet, që po orvaten t‘i minimizojnë veprimet skandaloze e adoleshente të nacionalistit Gruevski.
Dhe ai jo rastësisht po e bën këtë për shkak se veprimet e këtilla "antishqiptare" dhe "antiperëndimore" po i sjellin përfitime politike dhe ruajtjen e rejtingut personal-partiak. Pikërisht kultivimi i politikës së këtillë ka bërë që një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë, mu në prag të caktimit të datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian (BE), të ndihen dhe dëshmohen më antieuropianë se asnjëherë më parë. Paradokset dhe absurdet e këtyre ditëve me anë të protestave maqedonase antieuropiane para kancelarive të BE-së në Shkup ishin pjesë e skenarit antieuropë, gjegjësisht kundër proceseve euroatlantike, të menduar dhe realizuar mirë nga distanca, pikërisht nga instrumentalistët e kreut të ekzekutivit maqedonas.
Qëndrimi kaq i ngurtë dhe jodiplomatik (me mungesë elasticiteti dhe fleksibiliteti) i qeverisë së Maqedonisë karshi Greqisë, me çmimin edhe të mbetjes jashtë proceseve euroatlantike dhe jashtë mekanizmave relevantë vendosës ndërkombëtarë, po nxjerrë në shesh mungesën e vullnetit të kreut shtetëror aktual (lexo: Kryeministrit Gruevski), për t‘u bërë sa më shpejt pjesë e familjes europiane. Anëtarësimi i Maqedonisë në BE do t‘i jepte menjëherë fund agonisë politike të Maqedonisë dhe njëherë e përgjithmonë do të zgjidhte problemet politike me Serbinë, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat në mënyra dhe forma të ndryshme, edhe më tutje Maqedonisë po i mohojnë pjesë të identitetit kombëtar. Ndërkaq, mungesa e një vullneti politik për t‘u bërë pjesë e BE-së, hap dilemën tjetër: Cili është skenari aq i guximshëm të cilin po përpiqet ta realizojë Gruevski?
Megjithëse përgjigjen e saktë është vështirë për ta gjetur, por faktet flasin se veprimet e Gruevskit në radhë të parë janë fokusuar në tensionimin e sofistikuar të marrëdhënieve ndëretnike, gjegjësisht marrëdhënieve me shqiptarët, nëpërmjet të cilave ai te blloku elektoral maqedonas po forcon besimin dhe po rrit rejtingun. "Kapitali" i këtillë politik, Gruevskit do t‘i mundësojë krijimin e një hapësire politike, që edhe në rast të dështimit në rrugëtimin drejt mekanizmave euroatlantike, ai të mbetet në fronin politik të shtetit me pozita të fuqishme, në veçanti ruajtjen e pozicionit "Top" për zgjedhjet e ardhshme eventuale parlamentare, të cilat sipas të gjitha gjasave do të jenë të domosdoshme. Kjo situatë, edhe më shumë do t‘i provokonte shqiptarët, të cilët pothuajse qind për qind janë "pro" anëtarësimit të shpejtë në BE dhe NATO. Rrethanat e këtilla do të ishin shumë të papërshtatshme dhe të disfavorshme për stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë, në afat të gjatë kohor. Mirëpo strategjia e kreut aktual të ekzekutivit po hapëron sipas proverbit popullor: "Ujku kërkon dhe krijon mjegull"! Ithtarët e mjegullës në këto rrethana mund t‘i realizojnë skenarët e errët. Në fakt, njëri nga skenarët e "errët", herë pas here nga qarqe të caktuara maqedonase gjysmëformale e formale, në mënyra të ndryshme po serviret në mediat e këtushme. Gjithsesi, realizimi eventual i skenarëve të këtillë më së paku iu leverdis atyre që gojën e kanë përplot për "ruajtjen e Maqedonisë". Situata aktuale e tensionimit të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase dhe kultivimi i politikës së megalomanisë politike, kundrejt faktorit ndërkombëtar dhe në veçanti shqiptarëve, që janë faktor kryesor për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë, mund t‘ju leverdisë vetëm protagonistëve për ndarjen dhe zhbërjen e Maqedonisë. Një gjë është e sigurt, se Maqedonia me gjendjen dhe rrethanat e krijuara politiko-ekonomike, ka pozicion shumë të brishtë dhe shanse minimale për ta kapur shpejt lokomotivën europiane.