Gjykata liron biznesmenin kosovar, 4 muaj pas vdekjes së Emmy-t
Tiranë- Gjykimi i shkurtuar dhe “mëshira” e gjyqtarit i kanë dhënë lirinë e parakohshme Aziz Kelmendit, biznesmenit kosovar të akuzuar për vrasje nga pakujdesia të këngëtares Elsina Hidersha, e njohur me emrin “Emmy”. Pas dy seancash të shtyra, ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin, duke dënuar me dy vjet heqje lirie Aziz Kelmendin, një vit më pak nga sa kërkoi përfaqësuesi i akuzës në dhënien e pretencës. Vendimi i gjykatës dhe llogaritë e thjeshta aritmetike i kanë dhënë lirinë ditën e djeshme Kelmendit, i cili është në provë për pjesën tjetër të dënimit të pashlyer. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës, biznesmeni kosovar është dënuar me 2 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Automatikisht, Kelmendit i është ulur një e treta e masës së dënimit, pasi është gjykuar me procedura të shkurtuara, madje ka pranuar edhe akuzën, duke thënë se nuk ka pasur si qëllim të vrasë këngëtaren. Në përfundim, gjykata e ka dënuar biznesmenin kosovar me 1 vit e katër muaj burg, nga të cilat ai ka shlyer më pak se 6 muaj heqje lirie për shkak të paraburgimit. Pjesa e mbetur e dënimit, rreth 8 muaj heqje lirie, sipas gjykatës do të shlyhet me kusht nga biznesmeni Aziz Kelmendi, i cili është vënë në provë nga gjykata, duke qenë kështu i detyruar të mbaj kontakte të vazhdueshme me shërbimin e provës. Sipas burimeve pranë paraburgimit nr. 302 në kryeqytet, ku Kelmendi ka qëndruar nga momenti i arrestimit, në shkurt të këtij viti, mësohet se ai ka lënë qelinë pasditen e djeshme, pas mbërritjes së urdhrit të ekzekutimit të prokurorit. Sipas kodit penal, akuza që prokuroria ngriti në përfundim të hetimit ndaj Aziz Kelmendit parashikon dënimin nga gjobë në pesë vjet heqje lirie. Tre seanca më parë, përfaqësuesi i akuzës i kërkoi gjykatës të shpallë fajtorë dhe dënojë Aziz Kelmendin me 3 vjet burg për akuzën e vrasjes me dashje të këngëtares Elsina Hidersha, e njohur ndryshe si Emmy. Kjo kërkesë u ul edhe me një vit burg nga gjykata, e cila falë llogarive aritmetike arriti t’i japë lirinë. Gjatë procesit gjyqësor, që zgjati vetëm katër seanca, i pandehuri Aziz Kelmendi pranoi akuzën dhe shfaqi pendesë të thellë në gjykatë për atë që kishte ndodhur, edhe pse ai se kishte dëshiruar apo parashikuar asnjëherë një gjë të tillë. Gjatë një deklarate në sallën e gjyqit, Kelmendi u kërkoi ndjesë familjarëve të Emmy-t për atë që kishte ndodhur, duke thënë se ai kishte kaluar momente të bukura me këngëtaren dhe asnjëherë nuk do ta kishte dashur atë që ndodhi. Elsina Hidersha, këngëtarja 21- vjeçare ndërroi jetë dy ditë pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Sadik Petrela” në kryeqytet, pas incidentit të ndodhur me automjetin e biznesmenit kosovar. Sipas dëshmitarëve, vajza pasi ka debatuar me Kelmendin, i cili ka qenë në shoqërinë e shtetases Persida I. dhe është kapur në xhamin e parë të automjetit që drejtohej nga biznesmeni kosovar. Automjeti tip “Tuareg” ka ecur përgjatë një distance prej rreth 50 metrash, edhe pse këngëtarja vazhdonte të qëndronte e varur në xhamin e krahut të shoferit. Për një moment, vajza ka shkëputur duar nga xhami, duke pësuar dëmtime të forta në pjesën e pasme të kokës, çka i shkaktuan edhe vdekjen në spital, ndërsa policia arrestoi nën akuzën e vrasjes biznesmenin kosovar me nënshtetësi suedeze, Aziz Kelmendi.