E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezarta: Rrëfej konfliktet e Rozit me Çiljetën e Rovena Stefën

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 23-06-2011 11:27

Unë jam e martuar me shtetasin Ermal Hoxha që prej dy vitesh. Me këtë shtetas bashkëjetoj prej 5 vitesh, në adresën e dhënë më sipër. Shtetasja Rozana Radi, mesa di unë ka pasur një marrëdhënie intime me bashkëshortin tim para 15 vitesh. Në momentin që unë jam lidhur me Ermalin, në vitin 2006, Rozana gjithmonë ka hedhur kunja në drejtimin tim, për më tepër dhe në ambiente me njerëz të tjerë. Pra, marrëdhëniet tona nuk kanë qenë shumë të sinqerta. Rreth 7 muaj më parë, në një emision televiziv në Kosovë, të organizuar nga televizioni “RTV 21”, ku kanë qenë të pranishëm dhe artistë të tjerë shqiptarë dhe kosovarë, ka ndodhur një zënkë për arsye banale, mes meje dhe Rozana Radit. Ky ka qenë një emision që transmetohej 24 orë në 24 për një muaj rresht. Arsyet e zënkës kanë qenë shumë të kota, ku unë i kam kërkuar t’i bënim makaronat me salcë, ndërsa Rozana më ka thënë se: “Më çave b.., ngele duke dhënë opinione ti”. Vlen për t’u theksuar se unë në këtë emision kisha shkuar pikërisht për të dhënë opinione. Unë nuk u ofendova me këtë reagim të saj dhe ruajta qetësinë, ndërsa Rozana më tha: “Ta tregoj unë, sapo të dalim jashtë se këtu nuk bëj dot lëvizje”. Një kopje të DVD-së që është regjistruar ky emision do t’ua sjell dhe do ua vë në dispozicion. Më pas, unë edhe pse isha më e votuara nga kjo ngjarje e shëmtuar që ndodhi, edhe për shkak të kërcënimeve të Rozanës, dhashë dorëheqjen dhe ika nga emisioni, duke pasur dhe humbje monetare( për shkak se unë paguhesha për çdo ditë të qëndrimit në këtë emision). Pas kësaj, marrëdhëniet mes nesh kanë qenë të ngrira dhe nuk flisnim me njëra- tjetrën, edhe pse Rozana më ofendonte në shkrime, nëpër gazeta e revista. Në këto gazeta nuk jepej emri i Rezartës si autore, por kjo është e kuptueshme, duke qenë se artikujt publikoheshin në revista, ku gazetare është një ndër mikeshat më të mira të Rozanës. Artikujt që shkruheshin në këtë revistë më kanë cenuar shumë mua dhe familjen time, pasi ishin me titrat: “Rezarta lesbike” e të kësaj natyre. Një ndër gjestet e saj të shëmtuara ka qenë edhe vendosja e fotos sime të transformuar në “facebook”-un e saj, duke shkruar dhe komente negative në drejtimin tim. Këtë e kam printuar dhe mund ta vendos në dispozicionin tuaj në të ardhmen. Më tej, pas përfundimit të “Këngës Magjike” në vitin 2010, unë i kam dhënë dorën Rozanës, duke e uruar për çmimin e fituar prej saj. Me kaq është mbyllur faza që nuk flisnim me njëra- tjetrën. Disa ditë më pas, më datën 3 dhjetor 2010, në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arian Çani, shtetasja Rozana Radi, që ishte e ftuar, ka thënë që unë i kisha kërkuar falje dhe se ajo “nuk më njihte mirë”. U preka nga ky gjest, sidomos se e kisha uruar një javë më parë dhe i shkruajta me etikë një mesazh shumë normal në “facebook”, duke i thënë: “pse gënjen?”. Më pas ajo më shkruajti duke më ofenduar: “Po ik moj k..”. U ndjeva shumë e ofenduar nga kjo përgjigje e saj dhe nga nervozizmi i kam kthyer përgjigje. Përgjigjet nuk i mbaj mend, pasi u bënë tre ditë rresht shkëmbime të tilla mesazhesh në facebook. Po mbaj mend mesazhin e fundit të saj, ku më bëri kërkesë me kërcënime të shkoja ta takoja poshtë pallatit të saj, ku do më zhgarraviste. Po ashtu, në këtë mesazh më ka thënë se edhe nëse nuk shkoja ta takoja, do rastisnim diku gjithsesi. Unë këtë e mora si kërcënim dhe kam menduar të shkoja ta takoja atë natë, pasi ajo kishte vendosur të përballej me mua. Unë gjatë këtyre mesazheve të fundit kam qenë me Ermalin te “Kafe Interneti”. Pak para mesazhit të fundit të Rozanës, unë e kam pyetur atë nëse kishte të njëjtin numër telefoni dhe ajo ma konfirmoi këtë. Në këto kushte, menjëherë pas kërkesës të fundit të saj, unë e kam telefonuar Rozanën me numrin tim në numrin e saj. Në këtë komunikim telefonik, unë i konfirmova që do ta takoja poshtë shtëpisë së saj dhe jo në shtëpinë e saj, sikurse më kërkoi ajo. Ermalit ia kisha thënë të gjitha muhabetet në fjalë dhe meqenëse ishte ora 02:00 e mëngjesit, e datës 6 dhjetor 2010, me makinën e Ermalit kam shkuar pak më lart vendit të quajtur “rrethrrotullimi” që ndodhet para derës së “Kopshtit Zoologjik”. Sapo ne shkuam aty me makinën e Ermalit, parkuam dhe po prisnim. Menjëherë erdhi Rozana me makinën e saj “Pegaut” bojëqielli, e hapur në gri dhe ndaloi para nesh. Menjëherë unë zbrita nga makina e Ermalit dhe shkova te makina e Rozanës. Kjo e fundit hapi derën e makinës së saj(ka qenë e vetme në makinë) dhe me prepotencë dhe forcë më tërhoqi dhe më tha të futesha në makinën e saj. Unë tërhoqa dorën dhe u largova, ndërkohë që Rozana më kapi flokët. Më pas unë e kam shtyrë dhe jemi përleshur me njëra- tjetrën. Ajo që unë dua të sqaroj është fakti se në asnjë moment, unë nuk e kam gjuajtur atë në fytyrë apo në pjesët e tjera të trupit, sikurse ajo pretendon për mediat. Në këtë kohë që po përlesheshim, erdhi Ermali dhe na kapi të dyjave prej krahu për të na ndarë. Në kohën që sapo mundi të na ndante Ermali, aty erdhi makina e policisë me dy policë në të. Policët zbritën nga makina dhe na kërkuan sqarime për arsyen e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë Rozana filloi të më kërcënonte mua dhe në sy të policëve, duke iu drejtuar Ermalit: “Nëse do më gjente mua të vdekur në ndonjë cep rruge, do e kishte dhuratë nga ajo”. Në kohën që aty ishin policët, Rozana tentoi të më qëllonte përsëri në prezencë të tyre, por nuk u la ta kryente këtë veprim. Në këtë kohë, Ermali e mori me vete Rozanën në makinën e saj, për ta sqaruar, por ajo nuk pranoi të mbyllej me kaq muhabeti dhe i kishte thënë Ermalit se do bënte denoncim në polici. Në këto kushte, unë shkova menjëherë bashkë me Ermalin në komisariatin nr. 1 të policisë në Tiranë, për të denoncuar këtë ngjarje, por nuk ishte inspektori i krimeve aty dhe shkuam për ta bërë këtë denoncim të nesërmen. Vlen të theksoj se shtetasja Rozana Radi ka pasur precedentë të tjerë të kësaj natyre, ku është zënë me këngëtaret Rovena Stefa, së cilës i ka prerë flokët gjatë një koncerti, ku i ka hedhur valium në pije, Ingrid Gjoni, Çiljeta dhe Anjeza Branka. Motivet kanë qenë gjithmonë, në dijeninë time, se Rozana Radi u ka ngacmuar të dashurit….

A ka pasur njeri tjetër të pranishëm gjatë sherrit tuaj me Rozana Radin?

Unë kam fiksuar që ka qenë dhe një roje lokali diku aty, që po shikonte, por që nuk ndërhyri, si dhe pronari i lokalit aty “BST6”. Emrat e tyre nuk i di, por i gjej dhe do u informoj sa më shpejt.

A ka pasur ndonjë mjet të fortë Rozana Radi gjatë sherrit dhe a ju ka goditur me një mjet të tillë?

Sherri midis nesh ka nisur duke u përleshur me duar me njëra- tjetrën dhe asnjëra nuk ka pasur një mjet të tillë. As unë, as ajo nuk kemi qëlluar në drejtim të njëra- tjetrës me mjet të fortë. Për më tepër, unë jam çuditur nga media kur kam dëgjuar se Rozana kishte shenja në fytyrë, pasi atë natë që u zumë bashkë nuk kishte asnjë shenjë. Po ashtu sqaroj se as bashkëshorti im nuk është përfshirë në zënkën midis nesh, pasi vetëm na ka ndarë dhe ajo që thuhet në media prej Rozanës, për bashkëshortin tim, nuk është e vërtetë. Nga rezultati i akt- ekspertimit që më vutë në dispozicion, po çuditem pa masë, pasi nuk është e vërtetë ta kem gjuajtur Rozanën me mjete të forta. Ajo duhet ta ketë goditur më pas veten e saj. Për më tepër, vendimi për këtë akt- ekspertimi nuk më është njoftuar mua. Unë kërkoj të ribëhet akt- ekspertimi mjeko -ligjor për Rozanën. Edhe mua Rozana më ka shkulur një tufë me flokë. Ajo duhet të mbajë përgjegjësi për gjithë këtë ngjarje dhe për gjithë problemet që më ka shkaktuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›