E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata prokurorisë: Hetoni transferimin e arkivës së UT-së

Rektori Dhori Kule kishte denoncuar në prokurori, transferimin arkivës, duke akuzar Fakultetin e Inxhinierisë mekanike për disa vepra penale


Hetimi ishte mbyllur për mungesë të veprës penale, ndërsa pretendohej dëmtimi i arkivsës dhe zbulimi çështjeve sekrete


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pas tetë seancave gjyqësore vendosi të pranojë kërkesën e rektorit të Universitetit të Tiranës (UT) z.Dhori Kule për rihetimin e dosjes së pushuar nga prokuroria për mënyrën e transferimit të arkivës së institucionit të tij, nga kati i dytë në të gjashtin e godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT).


Një veprim i tillë është kryer me urdhër të drejtuesve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Gjyqtarja Regleta Panajoti, pasi shqyrtoi kërkesën e Rektoratit të UT-së, për kundërshtimin e vendimit të Prokurorisë për "Pushimin e çështjes penale", urdhëroi që prokuroria të rihap hetimin.


Sipas vendimit, hetuesit nuk kanë verifikuar pretendimeve të rektoratit. "Nga ana e Prokurorisë së Tiranës, janë ndërmarrë pjesa më e madhe e veprimeve hetimore, por mbi bazën e ankimit gjykata konstaton se nga ana e prokurorisë duhej të kryheshin veprime të natyrës së inventarizimit të dokumentacionit që gjendet, pas transferimit të arkivës për të verifikuar pretendimet mbi humbjet dhe mungesën e dokumentacionit arkivor pas lëvizjes së paautorizuar të tyre.


Urdhërohet prokuroria të realizojë inventarizimin e materialeve arkivore që i përkasin arshivës së UT-së, që ndodhen në sallën e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM-it), në katin e gjashtë (pas transferimit), duke e krahasuar me gjendjen e këtij dokumentacioni sipas përshkrimit në "Procesverbalin për dorëzimin e dokumenteve të arkivit të Universitetit të Tiranës" të datës 28 shkurt 2005, si dhe regjistrave mbi evidentimin e mungesave (materialet përpara lëvizjes së arkives)"-thuhet në vendimin me nr. 574 të firmosur nga gjyqtarja Panajoti dhe që "Shekulli" ka siguruar një kopje.


Me 17 shtator 2009, rektorati u UT-së u njoftua se me urdhër të dekanit të FIM-it dhe pa dijeninë e rektoratit dhe arkivueses, është hapur nga persona të pa autorizuar zyra e arkivës së UT-së që ndodhej në katin e dytë të ndërtesës së UPT-së.


Rektorati është njoftuar se dokumentacionet që ndodheshin në këtë arkiv, që nga themelimi i UT-së në vitin 1957, janë transferuar në katin e gjashtë të ndërtesës. "Dokumentacioni arkivor ishte lëvizur e depozituar nga ambienti i katit të dytë në katin e gjashtë të UPT-së.


Kallëzuesi ka pretenduar se me këtë veprim është shkatërruar pjesa më e madhe e dokumenteve ndaj duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore autorët e veprimit"-thuhet në vendimin e gjykatës. Po me 17 shtator 2009 rektori i UT-së kallëzoi në prokurori dekanin të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike Andronaq Londo si dhe kancelaren Elvana Ndreca.


Ata akuzohen nga rektorati i UT-së "shpërdorim të detyrës"; Shkatërrimit ose dëmtimit me dashje të pronës së tjetrit"; "Vjedhjes së pasurisë", si dhe të "zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete". Pas hetimeve disa mujore prokuroria pushoi çështjen për shkak të mungesë elementëve të veprës penale, ndërsa tashmë ajo duhet të rihetojë çështjen pas vendimit të Gjykatës së Tiranës.



PJESË NGA KALLËZIMI


"...Arkiva e UT-së ishte hapur nga persona të pa autorizuar dhe ishin dëmtuar materialet arkivore që gjendeshin në të. Hapja e arkivës ishte bëë pa autorizim dhe pa dijeninë e personave që ligji iu ka lënë në ruajtje dhe administrim këtë arkiv, d.m.th. pa dijeninë e Rektorit të UT-së. Dokumentacioni arkivor ishte lëvizur e depozituar nga ambienti i katit të dytë në katin e gjashtë të UPT-së.


Me këtë veprim është hapur dera forcërisht, janë shkatërruar pjesa më e madhe e dokumenteve pasi janë lëvizur në mënyrë të dhunshme duke iu shkaktuar pasoja të rënda materialit arkivor, si dhe duke e nxjerrë administrimin e tyre jashtë kontrollit dhe autoritetit të entit përgjegjës arkivor që është UT.


Ky dokumentacion është bërë i pa administrueshëm, është vunerabël dhe i hapur ndaj ndërhyrjeve të të tretëve, ndaj manipulimit të tij, zhdukjes dhe nxjerrjes së informacionit që ai përmban..."


Me vendimin nr. 215 të datës 15 korrik 1991 të Këshillit të Ministrave të RSH ish-Universiteti "Enver Hoxha" në Tiranë u nda dhe u krijuan dy Universitete.


Universitetit i Tiranës (UT) dhe Universitetit Politeknik i Tiranës (UPT). Me aktmarrëveshjen e datës 2 shtator 1991 të nënshkruar midis të dy Universiteteve u bë ndarja dhe administrimi i ambienteve nga secili, ku disa njësi si "Biblioteka Shkencore"; "Shtëpia Botuese e librit Universitar" etj u vendos të mbeteshin në administrim të të dy njësive të krijuara pas ndarjes, deri në një marrëveshje të dytë.


Po kështu arkiva e "Universitetit Shtetëror" iu la UT-së, dhe u vendos në ambientet e katit të parë të godinës së Rektoratit të UT ku sot ndodhet Biblioteka Shkencore. Për shkak të volumit të madh të dokumentacionit që mbarte kjo arkiv një pjesë e saj u sistemua në një nga sallat e UPT-së në katin e dytë të godinës. Arkiva e UT-së, përmban të gjithë dokumentacionin arkivor të Universitetit Shtetëror që nga momenti i themelit të tij 1957 e deri më sot.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›