Gjykata rrëzon Dajtin, kërkoi vizitë mjekësore
TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi sot tre kërkesa, njëra prej të cilave e Dritan Dajtit dhe dy të tjera, të dy të pandehurve që janë në një proces me të. Dritan Dajti edhe sot nuk ishte i pranishëm në seancë por avokati i tij kërkoi që gjykata të urdhëronte një mjek për të parë gjendjen shëndetësore dhe psiqike të Dajtit. Por gjykata tha se avokatët nuk i janë drejtuar gjykatës me shkrim dhe kjo kërkesë nuk është kompetenca e togave të zeza. Ndërkohë janë rrëzuar dhe kërkesat e Erges Xhoxhit si dhe Mariglen Mucës. Kunati i Dajtit, Erges Xhoxhi, nëpermjet avokatit mbrojtës ka kërkuar vecim të cështjes pasi sipas mbrojtjes ai nuk ka lidhje me ngjarjen, duke qënë se akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe falsifikim dokumentash. Kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata. Ndërkohë avokati i ish-punonjësit të policisë Mariglen Muca kërkoi moskompetencë të gjykimit të tij nga kjo gjykatë, pasi akuza për të është ajo e shpërdorimit të detyrës. Edhe kjo kërkesë nuk u pranua. Mbi Dritan Dajtin rëndojnë një sërë akuzash të rënda dhe rrezikon burg përjetë. Ai është autor i masakrës së 7 gushtit ku gjatë operacionit për arrestimin e tij katër punonjës policie mbetën të vrarë në vend.(m.a/News24/BalkanWeb)