E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, moti i keq, rrezikojnë të përplasen dy tragete

VLORE- Kanë rrezikuar të përplasen dy tragete në portin e Vlorës. Cimat e dy spirancave të majta të dy trageteve janë ngatërruar me njëra-tjetrën duke bërë të pamundur daljen nga kalata e portit. Në kohën e incidentit tragetet po ngarkonin pasagjerë dhe automjete, gjë të cilën e ndërprenë menjëherë. Jo të gjithë pasagjerët mundën të imbarkohen dhe të mbeturit jashtë do të imbarkohen me tragetin Augodimos Lines, në 16.30. Për më se dy orë dy tragetet kanë bërë tentativa të shkëputen nga njëri-tjetri, por ka qenë e vështirë. Kapiteneria e portit dhe autoritetet portuale së bashku me personelin e dy trageteve u vunë në punë me qëllim shkëputjen pa incident. Fundi i një prej tragetve nga lëkundjet dhe valëzimi i lartë i detit u zvarrit pak pas kalatës, por pa shkatuar dëme serioze apo të rrezikohen njerëz, vetëm gërvishje në pjesën e kicit të tragetit.Pas më se dy orësh manovra është mundësuar shkëputja e cimave të spirancave dhe dy tragetet kanë nisur lundrimin në drejtim të Italisë. Shefi i kapitenerisë së portit të Vlorës Anastas Goga, sqaron se ka qenë moti i keq shkak kryesor i incidentit, por edhe amortizimi i tepërt i kalatës së portit të Vlorës, i cili është i pambrojtur dhe i papërshtatshëm për anije të tonazhit kaq të lartë sikundër janë tragetet në të tilla kushte atmosferike të vështira. Goga sqaroi se qendra e stuhisë sipas meteorologëve dhe radarëve detar është pikërisht në gjirin e Vlorës. Valëzimi i detit arrin 6-7 ballë në gji, dhe 8 ballë në det të hapur, cka shkakton normalisht probleme serioze të përsëritura në portin e Vlorës, për shkak edhe të mungesës së infrastrukturës në port. Në dy tragetet gjendeshin rreth 600 pasagjerëve që aktualisht janë në udhëtim drejt Italisë.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›