E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata rrëzon kërkesën e avokatit, kundërshtoi zgjatjen e hetimit për Arben Frrokun

TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka firmosur zgjatjen e hetimeve për Arben Frrokun, biznesmenin e dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në shkurt të 2013. Sipas organit të akuzës, çështja është shumë komplekse dhe është e domosdoshme marrja në pyetje e të dyshuarit Frroku dhe nipit të tij Jak Jaku, të cilët ndodhen në burg në Greqi, pasi u vunë në pranga 24 orë pas atentatit mafioz të kryekomisar Lamajt.

Vendimi për zgjatjen e afateve të hetimit edhe për 60 ditë të tjera është ankimuar nga avokati i Frrokut, Tonin Prendi. Ankesa e tij u shqyrtua sot nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Avokati Prendi tha se zgjatja e afateve të hetimit nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda është marrë në kundërshtim me ligjin, ndaj dhe i është drejtuar gjykatës. Sipas avokatit, nuk ka asnjë shkak ligjor për zgjatjen e afateve të hetimit ndaj Frrokut.

Gjykatësja Etleva Deda pasi shqyrtoi kërkesën e avokatit Prendi, vendosi ta rrëzojë atë. Sipas Gjykatës zgjatja e afateve nga prokuroria është e ligjshme.

HETIMET PËR VRASJEN 
Prej mbrëmjes së 24 shkurtit 2013, kur kryekomisar Dritan Lamaj u ekzekutua, Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime për të hedhur dritë mbi krimin e rëndë. Arben Frroku është për prokurorinë i dyshuar kryesor, por edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj, ende ndaj biznesmenit nuk është ngritur akuzë. Për të dytën herë me arsyetimin se çështja është komplekse dhe ka nevojë për hetime të specializuara, prokuroria ka firmosur për shtyrjen e afatit të hetimeve. Avokati Tonin Prendi tha se arsyetimi që përdor prokuroria për zgjatjen e afateve të hetimit është i pabazë, ndaj dhe ka bërë ankim në gjykatë. Edhe njëherë më parë, avokati i kërkoi Gjykatës për Krime të Rënda të shpallte të pavlefshme zgjatjen e hetimeve, por kërkesa e tij u rrëzua. 

EKZEKUTIMI I KRYEKOMISARIT 
Kryekomisar Dritan Lamaj u ekzekutua mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë, 200 metra larg nga pallati ku banonte. Ish-shefi i komisariatit të Kombinatit u qëllua me breshëri automatiku nga një person që udhëtonte me një makinë tip “BMV”, që më pas rezultoi të ishte vjedhur në Durrës. 12 plumba i prekën trupin duke i shkaktuar vdekjen. Pa kaluar as 24 orë nga vrasja e zyrtarit të lartë të policisë, në një hotel në Selanik të Greqisë, u vunë në pranga biznesmeni Arben Frroku, i dyshuar si protagonisti kryesor në krimin e rëndë dhe djali i dajës së tij, Jak Jaku. Në fillim të qershorit 2013, Gjykata e Lartë greke vendosi për ekstradimin drejt Shqipërisë të Arben Frrokut. Mes të tjerash gjykata argumentonte se ekstradimi i të dyshuarit do të ndihmonte në zbardhjen e vrasjes së Lamajt. Gjykata pranoi gjithashtu, se nuk ka asnjë rrezik apo kërcënim serioz për jetën e Arben Frrokut, nëse ai do të mbahet në burgjet shqiptare. Biznesmeni Frroku ishte renditur i dyti në listën e kandidatëve për deputet në qarkun Shkodër, nën siglën e partisë Kristiandemokrate. I vëllai Mark Frroku, që kryesonte listën është zgjedhur deputet në qarkun Shkodër, duke marrë edhe drejtimin e Partisë Kristiandemokrate.
(m.a/k.Lala/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›