E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Asnjë legalizim ndërtesave të paligjshme. Bashkia: Akuza të pabaza

lameTiranë- Deputeti socialist Artan Lame ka deklaruar se pushteti vendor po falsifikon dokumenta për legalizimin e ndërtimeve, kryesisht në zonat bregdetare.

Në një deklaratë për shtyp ai u shpreh se qeveria e re nuk do të bëjë legalizimin e asnjë objekti të ngritur në mënyrë të jashtligjshëm, e sidomos në zonat bregdetare dhe ato të mbrojtura.

Ne nuk do të legalizojmë asgjë të kundërligjshme në vijë bregdetare dhe asgjë të ndërtuar për qëllime fitime kudo qoftë, do të kenë penalizime ata që masakrojnë bregun dhe ata që kanë bërë legalizime në zonat e mbrojtura mjedisore, arkeologjike, gjatë rrugëve kombëtare dhe nyjet kryesore rrugore, turistike, plazheve etj. Ne po mbledhim informacion për falsifikimet që po bëhen për ndërtime delikate dhe do ti zhbëjmë ato, në Dajt, Pogradec, Butrint, Kalaja e Krujës, bregdetin Vlorë-Orikum dhe gjithë bregdetin, në zonat historike të Lezhës,- tha Lame.

Më tej Lame deklaroi se Bashkia e Tiranës po shkatërron hapësirat e gjelbërta, duke thënë se po tentohet të prishet parku i lojërave 7 Xhuxhat.

Reagon Bashkia: Tirana nuk udhëhiqet më nga interesat e Ramës

Bashkia Tiranë ka reguar duke thënë se ‘bashkë projektuesi i betonizimit dhe i shkatërrimit të mijëra metrave katrorë hapësira të gjelbra të zhdukura për 11 vite nëpërmjet aferave korruptive akuzoi sot Bashkinë e Tiranës.

Siç i hëngrën këto mijëra metra katrorë  hapësira të gjelbra dhe i kthyen në përfitime të majme sot po hanë turpin me bukë duke hedhur akuza të pabaza ndaj Bashkisë.

Ata që për 11 vjet për interesa personale lanë Tiranën pa një plan urbanistik duke lejuar zhvillim klientelist  kanë kurajon të flasin dhe akuzojnë sot Bashkinë e Tiranës’.

Sipas administratës ‘Basha’ “Tirana ka sot planin e saj urbanistik mbi të cilin do të zhvillohet qyteti, të hartuar me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj dhe miratuar me  konsensusin më të gjerë të mundshëm. Sepse sot Tirana nuk udhëhiqet nga interesat e Ramës, por nga interesi i qytetarëve të saj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›