Gjykata shpall të pafajshëm 3 të akuzuarit për ngjarjet e 21 janarit
“Nuk provohen akuzat për vrasje ndaj Ndrea Prendit dhe Agim Llupos”
-- Edi Rama sulm drejtësisë
-- Berisha: S’komentoj vendimet e gjykatës. Halimi: Rama i vetmi politikan që ndërhyn në institucionet e drejtësisë
Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm 3 gardistët e akuzuar për vrasjet e ndodhura gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit të vitit 2011. Sipas argumentimit të gjykatës, nuk qëndron akuza e prokurorisë për vrasje në rrethana cilësuese për 4 demonstruesit.
Sipas treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Hoxha, edhe pas 40 seancave gjyqësore dhe mbi dy vit që nga dita e ngjarjes, organi i akuzës nuk arriti të provojë apo të sjellë dëshmi se të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo janë autorë të vrasjes së demonstruesve Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Ziver Veizi. Për këto tre vrasje, prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurve Prendi dhe Llupo në total me 48 vjet burg.
Gjykata, pafajësinë e të pandehurve e bazoi edhe në vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, të cilët kanë deklaruar të pafajshëm një efektiv policie, i cili kishte vrarë shtetasin Carlo Giuliani-t gjatë një proteste të dhunshme kundër takimit të G8 në Xhenova në 2001 në Itali. Sipas këtij vendimi, efektivi i policisë ka qëlluar në mbrojtje të institucioneve dhe kolegëve. Argument ky që u ngrit edhe nga avokatët mbrojtës dhe vet të pandehurit.
Prokuroria konfirmoi se vendimi do të apelohet, apel ky që pritet edhe nga avokati i Agim Llupos.
Kryeministri Sali Berisha
Kreu i qeverisë, Sali Berisha tha sot se nuk do komentojë vendimin e gjykatës. “Sot jam këtu për këtë çështje. Nuk do më gjeni të komentoj vendime gjykatash. Ky është një vend që ka sistemin e drejtësisë e akuzës. S’ka asnjë koment. Ju kërkova pyetje nëse keni të bëni me çështjen e fermerëve. Qëndrim im është i prerë”- tha Berisha, në një konferencë për mediat, ku informoi fermerët se qeveria do të heqë TVSH-në për të gjitha makineritë e importuara dhe për kimikatet dhe plehrat kimike.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi
“Kreu i selisë rozë Edi Rama është i vetmi politikan që komenton vendimet e gjykatave”. Ky ka qenë reagimi i kreut të drejtësisë Eduart Halimi pas deklaratave të ashpra të kryesocialistit Rama lidhur me vendimin e gjykatës së Tiranës për të akuzuarit për vrasjen e katër protestuesve në ngjarjen e 21 janarit.
Në një dalje për mediat, Halimi tha se Rama flet atëherë kur vendimi nuk është në interesin e tij, ndërsa di të heshtë shumë mirë kur vendimi i gjyqësorit i shkon për shtat, duke i sjellë në vëmendje vendimin për djalin e Luiza Xhuvanit. “Rama është i vetmi politikan që komenton vendimet e gjykatave. Rama e ka politizuar këtë çështje, duke ushtruar presion sistematik. Sot para drejtësisë duhet të ishte vetë ai, si instruktor i tyre. Kjo nuk është hera e pare që Edi Rama sulmon drejtësinë shqiptare kur nuk i pëlqejnë vendimet e saj, dhe as e para që hesht kur vendimet e saj i vijnë për shtat. Kështu heshti zoti Rama kur djali i Gramoz Rucit plagosi në mes të Tiranës një qytetar të pafajshëm dhe drejtësia e la atë të lirë. Kështu heshti Edi Rama edhe kur djali i Luiza Xhuvanit vrau gjakftohtë me një plumb në kokë një djalë të ri e të pafajshëm. Sot përpara drejtësisë duhet të ishte vetë Edi Rama, arkitekti i vetëm i dhunës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit të së drejtës. Ndaj sulmi i tij tregon vetëm frikën se verdiktet e drejtësisë shqiptare do t’i afrohen edhe karriges së tij. Shqiptarët dhe çdo njeri normal në këtë vend nuk e kuptojnë se cila është lidhja mes vendimit të një gjykate të pavarur dhe vendimit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për të bojkotuar parlamentin. Por shqiptarët më në fund e kanë kuptuar modelin Rama: model që bën presion politik mbi çdo institucion të pavarur, sistematikisht derisa në fund kërkon t’i asfiksojë ato totalisht”- tha Halimi.
Topalli: PS të heshtë, foli drejtësia
Nga ana e saj kryeparlamentarja, Jozefina Topalli u shpreh se opozita duhet të heshtë,pasi foli drejtësia. “Unë s’fajësoj asnjë njeri, ndarja e pushteteve është e qratë, kur flet drejtësia të gjithë heshtni. Ju ikni, frikacakë, i çoni për ti vrarë dhe pastaj ikni, i vratë dhe s’votoni 3 ligjet, boll keni vrarë”, deklaroi Topalli.
Vendimi për 21 janarin, opozita braktis sallën e Kuvendit
Opozita ka braktisur sallën e Kuvendit, pas debateve për vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm 3 të pandehurit për ngjarjet e 21 janarit.
Në Kuvend u ndezën debatet, ku deputeti Socialist, Saimir Tahiri është shprehur se “në këtë vend drejtësia ka marrë fund”, ndërsa bëri përgjegjës për këtë ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi.
Ai tha se sot drejtësia i vrau për herë të dytë 4 viktimat e 21 janarit dhe u shpreh se vendi është sot në ditë zie.