E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Në mars, Bashkia merr në dorëzim studimin e fizibilitetit të terminalit

07-02-2013 / Gazeta 55

BERZH pas terminalit, interes edhe për tramin e Tiranës


Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim Presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti. Kryebashkiaku Basha e ka falënderuar Presidentin e BERZH, për besimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë Bashkisë së Tiranës dhe projekteve të saj strategjike, një ndër të cilat është edhe terminali multimodal i pasagjerëve. Me një fond prej 500 mijë eurosh, BERZH po financon studimin e fizibilitetit dhe përgatitjen e termave të referencës për këtë terminal. Z. Basha ka bërë të ditur se në muajin mars, kompania italiane “Ital – Ferr” do t’i  dorëzojë Bashkisë së Tiranës studimin e fizibilitetit dhe termat e referencës, për koncesionin e terminalit të ri të pasagjerëve në Tiranë. Ky terminal parashikohet të ketë një kosto investimi në vlerën 25 milionë euro e cila planifikohet të financohet nga BERZH, nëpërmjet një kompanie konçensionare që do të përzgjidhet sipas procedurave të prokurimit të BERZH-it. Një tjetër projekt i rëndësishëm për qytetin e Tiranës që po realizohet me mbështetjen e BERZH është dhe  Qendra e  Kontrollit të Trafikut në Tiranë, e cila do të mundësojë jo vetëm drejtimin e të gjithë pikave të kontrollit të trafikut nga një qendër e vetme por edhe monitorimin 24 orë, çka do i shërbejë edhe përmirësimit të sigurisë rrugore brenda qytetit të Tiranës. “Zbatimi i këtij projekti po ecën me ritme shumë të shpejta”- tha z. Basha. Një tjetër projekt i rëndësishëm dhe strategjik për Tiranën është dhe trami, për ndërtimin e të cilit ka shprehur interes dhe BERZH. Kryebashkiaku Basha e ka njohur Presidentin e BERZH, me përfundimin e planit urbanistik të Tiranës i cili i ka munguar qytetit për 23 vjet. “Pjesë e  këtij plani - tha z. Basha, - është edhe bulevardi i ri dhe lumi i Tiranës, për realizimin e të cilëve është siguruar tashmë mbështetja financiare. Bulevardi i ri nëpër të cilin do të kalojë edhe një nga linjat e tramit, do të mundësojë lidhjen e terminalit multimodal të pasagjerëve me pjesën tjetër të qytetit. “Plani i ri urbanistik i hartuar nga ekspertët më të mirë vendas ka marrë edhe konsensusin më të gjerë qytetar, pasi iu nënshtrua konsultimeve intensive për disa muaj me radhë – theksoi kreu i Bashkisë. Kryebashkiaku Basha ka nënvizuar edhe bashkëpunimin e mirë që ka ngritur gjatë kësaj kohe në krye të Bashkisë me BE. Përmes projektit IPA, BE do të financojë rikualifikimin urban të disa blloqeve të banimit, duke plotësuar në këtë mënyrë rreth 8% të nevojave të qytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka njohur drejtuesit e lartë të BERZH, edhe me projekte të tjera të Bashkisë së Tiranës, siç është ndërtimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës së qytetit, lehtësirat për biznesin, të cilat kanë dhënë impakte që në vitin e parë me shtimin e vendeve të punës dhe hapjen e shumë bizneseve të reja. Presidenti i BERZH, nga ana e tij e ka vlerësuar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, si më të suksesshmin në rajon. “Për këtë arsye, tha z. Chakrabarti, së shpejti BERZH do të aktivizojë një fond të veçantë për pushtetin vendor në rajon nga i cili Bashkia e Tiranës me këtë angazhim dhe përkushtim do të ketë edhe më shumë mundësi të përfitojë”. Presidenti i BERZH, duke vlerësuar fokusin  shumë të orientuar të Bashkisë së Tiranës, për të ndihmuar dhe mbështetur sektorin privat, ka sugjeruar eksplorimin e mënyrave dhe formave të partneritetit publik privat, që nga UKT, trami, platforma dixhitale në transportin publik etj.


Dita - Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha inspekton punimet në rrugën “Islam Alla”, në njësinë nr.10/Një tjetër rrugë e kryeqytetit i është nënshtruar rikonstruksionit. Me një investim prej 9.4 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e rrugës “Islam Alla”, në njësinë bashkiake nr. 10. Kjo rrugë me gjatësi 366 metra do të përfundojë brenda 4 muajsh. Kryebashkiaku, Lulzim Basha i cili ka inspektuar punimet për këtë rrugë, ka bërë të ditur se kjo është një nga 5 rrugët që do të rikonstruktohen në njësinë bashkiake nr. 10 me buxhetin e vitit 2012. “Rruga “Islam Alla” është një prej 5 rrugëve të njësisë bashkiake nr.10, që është zemra dhe për shumë edhe “zemreku” i Tiranës, një zonë nga e cila ka origjinuar i gjithë qyteti por që në fakt vuan prej kohësh harresën sa i përket infrastrukturës. Ju të gjithë jeni dëshmitarë që ne kemi nisur riparimin e disa prej këtyre rrugëve këtu, ku vëmendje e veçantë i kushtohet edhe rrjetit infrastrukturor nëntokësor, kanalizimeve të ujërave të zeza, të ujërave të bardha dhe të ujësjellësit. Kjo po ndodh me këtë rrugë këtu, rrugën “Islam Alla” por edhe me rrugët e tjera paralel, ku Bashkia po ndërhyn në mënyrë të menjëhershme dhe simultane, sipas vendimeve të Këshillit Bashkiak që në fakt reflektojnë prioritetet e qytetarëve të njësisë 10, kur votuan buxhetin e vitit 2012” – u shpreh z. Basha. Njësia bashkiake nr.10 është një tjetër zonë e Tiranës, banorët e së cilës kanë qenë të diskriminuar për zhvillimin e pronës së tyre. “Këto investime i paraprijnë zhvillimeve të tjera të kësaj zone, që parashikohen edhe në planin urbanistik. Në këtë kuadër, nëpërmjet çlirimit të kësaj zone nga paragjykimet dhe skemat ndaluese të zhvillimit, ne presim që banorët e vjetër dhe shpesh autoktonë, të përfitojnë nga koefiçentët e zhvillimit të pronës por siç e shikoni kjo nuk na ka penguar aspak që t’i japim përgjigje problemeve që ata kanë sot dhe që kanë të bëjnë me cilësinë e shërbimeve që Bashkia ofron, ujësjellës-kanalizimeve, me cilësinë e transportit” - theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht se njësia bashkiake nr. 10 shtrihet fare pak metra larg sheshit “Skënderbej”, infrastruktura e kësaj zone nuk është aspak më e mirë se ajo në zonat më periferike të kryeqytetit. “Sikundër në periferi, edhe në qendër ne jemi të vendosur t’i japim fund harresës së komuniteteve të vjetra apo të reja dhe të përparojmë me buxhetin dhe zbatimin e buxhetit, sepse në fakt ky buxhet si dhe buxheti i vitit 2013 përfaqëson në mënyrën më të plotë dhe të kontrollueshme interesat e qytetarëve të Tiranës të cilët kanë qenë bashkë-hartuesit e tij” – deklaroi më tej Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›