E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata shpërndan Parlamentin, “grusht shteti” në Egjipt?

“Gjykata kushtetuese konfirmoi më detaje verdiktin e saj se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ishin jokushtetuese, dhe për pasojë e tërë përbërja e Parlamentit nuk është legjitime”, tha agjencia. Ky lajm u konfirmua për “The Associated Press”nga një prej gjykatësve të kushtetueses, Maher Sami Youssef. Ky vendim nënkupton se së shpejti në Egjipt do të mbahen zgjedhje të reja të përgjithshme.

Anëtarët e këshillit ushtarak të Egjiptit u takuan menjëherë pas shpalljes së vendimit po nuk lëshuan ndonjë deklaratë, por një burim ushtarak tha se vendimi i gjykatës ia jep ushtrisë fuqinë legjislative. “Ne nuk e duam këtë (fuqinë legjislative) por sipas vendimit të Gjykatës dhe sipas ligjit, kjo fuqi na rikthehet neve”, tha burimi për “AFP”-në.

Ndërkohë, kreu i Gjykatës Kushtetuese, Farouk Sultan, tha për “Reuters”in se ky vendim do të thotë që dhoma e ulët e parlamentit do të shpërndahet dhe që së shpejti do të mbahen zgjedhje të reja. Gjithçka bëhet sepse sipas Gjykatës Kushtetuese zgjedhjet e kaluara janë mbajtur në kundërshtim me kushtetutën. Ndërkohë, e njëjta gjykatë kushtetuese vendosi që Ahmet Shafiq mund të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të kësaj të diele.

Një ish-kandidat për President, Abdul Moniem Abul Fotouh, theksoi në statusin e tij në “Facebook” se ngjarjet e sotme kompletuan grushtin e shtetit.

“Mbajtja e kandidatit të ushtrisë në garë dhe shpërndarja e parlamentit pasi i kanë dhuruar ushtrisë të drejtën e arrestimeve është kompletimi i një grushti shteti, por kushdo që mendon se milionë të rinj do ta lënë këtë të kalojë mashtron veten”, tha ai.

Ai iu referua në këtë mënyrë Ahmet Shqfiqit, ish-kryeministrit të kohës së Mubarakut i cili një herë e një kohë udhëhiqte forcat ajrore. Një ligj i miratuar nga Parlamenti ndalonte që zyrtarë të epokës së Mubarakut të kandidonin për President të vendit, mirëpo, gjykata kushtetuese i dha të drejtë atij, dhe shpërndau parlamentin duke e quajtur të paligjshëm.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2012-06-14 18:28
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›