E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata shtyn Gërdecin pas zgjedhjeve

Gjykata e Lartë do të shprehet më 9 maj, një ditë pas zgjedhjeve vendore, për ankimin e prokurorisë kundër lirimit nga qelia të tre të akuzuarve kryesorë të dosjes “Gërdeci”.Një Kolegj Penal i kësaj gjykate nuk finalizoi dje shqyrtimin e rekursit të prokurorisë ndaj lirimit të Mihal Delijorgjit, bosit të “Albademil”, Ylli Pinarit, ish-kreut të MEICO-s dhe Sokol Ngjeçit, ish-specialistit të MEICO-s në Gërdec. Në një kohë kur prej 2 muajsh Delijorgji, Pinari dhe Ngjeçi kanë lënë qelinë, dje ata “futën në sherr” Kolegjin Penal. Pasi u njoh me pretendimet dhe qëndroi përreth një ore e gjysmë në dhomën e këshillimit, gjykata e shtyu shpalljen e vendimit përfundimtar në një seancë të re. “Për shkak të debateve mes anëtarëve të Kolegjit, gjykata vendosi që shpallja e vendimit të shtyhet për në datën 9 maj, ora 10.00″, u shpreh dje kryesuesja e seancës, gjyqtarja Shpresa Beçaj. Rekursi i prokurorisë ndaj tre të pandehurve të Gërdecit u regjistrua në Gjykatën e Lartë muajin e kaluar.
SEANCA
Përfaqësuesi i akuzës në seancë, prokurori Artur Selmani, pretendoi dje para Kolegjit Penal se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, i lënë më pas në fuqi edhe nga Apeli, për lirimin e tre të pandehurve ishte i gabuar. Sipas prokurorit, Shkalla e Parë e kishte konsideruar si detyrues vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 2 shkurt 2011, që liroi të bashkëpandehurin e tyre, Dritan Minxolli. “Çështjet që kanë të bëjnë me përcaktimin e masave të sigurisë shqyrtohen të ndara. Një vendim i Kolegjit Penal nuk mund të krijojë efekt tek një çështje tjetër”, tha prokurori. Gjithashtu, sipas prokurorit, nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë ishte gabuar në llogaritjen e afateve të paraburgimit në lidhje me tre të pandehurit. Sipas tij, afatet fillojnë kur dosja mbërrin në Gjykatën kompetente, për rastin konkret në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Fill pas prokurorit, Kolegji u njoh me pretendimet e avokatëve, të cilët i kërkuan gjykatës të mos cenoheshin vendimet e dy shkallëve më të ulëta, që liruan klientët e tyre nga paraburgimi. “Kërkojmë që vendimi i Apelit për shuarjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj të pandehurit që unë përfaqësoj, Ylli Pinari, të qëndrojë i pandryshuar”, u shpreh mbrojtësi ligjor i Ylli Pinarit, avokati Bashkim Asllani. Në të njëjtat linja ishin në vijim edhe avokati Nik Progni, përfaqësues i të pandehurit Ngjeçi, si edhe avokatët Elira Kokona dhe Gëzim Veleshnja për të pandehurin Delijorgji. Palët u përballën edhe me pyetje nga ana e anëtarëve të Kolegjit Penal. Gjykata e Tiranës pranoi më 7 shkurt 2011 kërkesën e Delijorgjit, Pinarit dhe Ngjeçit për lirim, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. Masa e tyre “arrest ne burg” u ndryshua në “arrest shtëpie”. Vendimi i Shkallës së Parë u la në fuqi më pas nga Apeli më 11 mars të këtij viti.

Debati për afatet e dosjes “Gërdeci”

Më 13 mars 2009, vetëm dy ditë para 1-vjetorit të parë të tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi dosjen penale në Gjykatën e Lartë. Dosja u dërgua aty për shkak të pranisë si i pandehur të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Muaj më pas dosja u nda dhe u dërgua në Gjykatën e Tiranës ku vijoi gjykimi. Avokatët kërkuan matjen e afateve të paraburgimit nga koha kur dosja shkoi në Gjykatën e Lartë, ndërsa prokuroria kërkoi llogaritjen e afateve nga koha kur dosja u dorëzua në Gjykatën e Tiranës.

Precedenti i Minxollit u bë shkak për lirimet

TIRANE – “Shtysë” për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit të të pandehurve Delijorgji, Pinari dhe Minxolli u bë një vendim i 2 shkurtit 2011 në Gjykatën e Lartë. Bëhet fjalë për vendimin e një Kolegji Penal që pranoi lirimin e të bashkëpandehurit të tyre, Dritan Minxolli, për shkak të tejkalimit të afateve. Në vendimin e ndërmjetëm që liroi tre të pandehurit e tjerë, gjykata arsyetoi se “Lirimi i Dritan Minxollit ka krijuar një gjendje faktike të re”. “Strumbullari”, që kaloi në disa shkallë gjykimi kërkesën e tre të pandehurve për lirim, ishte data kur duhet të niste llogaritja e afateve të paraburgimit, në kohën kur dosja ka mbërritur në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën e Tiranës. Në vendimin e Gjykatës së Lartë për Minxollin pohohej se numërimi duhej të niste në kohën kur aktet janë dërguar nga organi i Prokurorisë në Gjykatën e Lartë, pra më 13.03.2009.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›