Tiranë, harron kasafortën hapur, i grabisin 10 mln lekë në exchange

Agjencia e transfertave, e grabitur dje në Tiranë
TIRANE – Grabiten rreth 10 milionë lekë të reja në agjencinë e transfertave në Tiranë. Njëri nga dy filialet e Money Gram, që shërben si pikë transfertash por edhe këmbimi, është vjedhur dje në orët e mëngjesit. Filiali në pronësi të Andrea Onjeas, pranë Farmacisë nr.10, tek Medreseja, është vjedhur gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme. Persona ende të paidentifikuar sipas policisë, kanë thyer portën në katin e parë të një pallati të vjetër, në një zonë që patrullohet vazhdimisht nga policia. Hajdutët kanë përfituar nga pakujdesia e punonjësve që kishin harruar hapur kasafortën, kanë tërhequr nga aty shumën e konsiderueshme të parave. Policia e Komisariatit Nr.4 është lajmëruar për ngjarjen rreth orës 07:30, nga pronari Onjea, në momentin kur ai ka shkuar për të hapur dyqanin dhe ka konstatuar thyerjen. Sipas policisë, dyshohet se grabitja mund të ketë ndodhur rreth orës 03:30-04:00 të mëngjesit të djeshëm. Sipas grupit hetimor, autorët kanë arritur të hapin qepenin e jashtëm, pastaj kanë thyer derën e alumintë dhe xhamin, si dhe kanë hapur qepenin e dytë që ndodhej pas derës. Pasi kanë hyrë në ambientet e brendshme të zyrës, kanë gjetur hapur kasafortën, ku kanë marrë shumën e konsiderueshme të parave, rreth 100 milionë lekë të vjetër. Në një hark kohor prej katër ditësh, në katër biznese të ndryshme në Tiranë janë grabitur nga valutë e konvertuar në lekë shqiptare rreth 257 milionë lekë të vjetër. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, u grabit kasaforta me 150 mijë dollarë, në minimarketin e biznesmenit Bexhet Tragaj. Dy ditë më parë, brenda ditës ndodhën dy grabitje të tjera, një zyrë e këmbimit valutor, përballë ish-Ekspozitës, ku u vodhën 20 mijë euro dhe 7 mijë dollarë dhe në darkë një supermarket i linjës Euromax, pranë shkollës “Vasil Shanto”, ku autorët nën kërcënimin e armës morën 5 milionë lekë të vjetër. Në një diferencë të shkurtër kohore, ndodhi grabitja e radhës, zyra e Money Gram, pranë Medresesë, tek rruga e Dibrës në Tiranë, ku u grabitën 100 milionë lekë të vjetër. Përveç një rasti, asnjë prej autorëve nuk është identifikuar nga policia.
Supermarketi
Gjatë orëve të natës, duke gdhirë dita e djeshme, forcat e policisë së Komisariatit Nr.2 arritën të arrestojnë njërin prej autorëve të grabitjes së 5 milionë lekëve në supermarketin Euromax, tek “Vasil Shanto”. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, një prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje u arrestua dhe dyshohet të jetë 30-vjeçari Shkëlqim Kurti, i dënuar më parë për dezertim. Nga ana tjetër, policia pohoi se janë identifikuar edhe dy autorët e tjerë, bashkëpunëtorë të Kurtit në grabitje dhe po punohet për arrestimin e tyre.