Gjykatësi nxjerr Mlladiçin jashtë seancës
Ratko Mlladiç, i akuzuari për krime lufte, është nxjerrë jashtë seancës gjyqësore në Hagë për shkak se theu rregullat e zhvillimit të seancës.
Ai ndërpreu disa herë procedurat. Mlladiç tentoi të fliste disa herë në nisje të seancës, por gjykatësi Alfons Orie i tha të qëndronte në heshtje derisa ai ta lejonte që të fliste.
Megjithatë ai sërish fliste dhe u drejtohej galerisë së publikut.
Kur gjykatësi nisi të lexonte akuzat, Mlladiç bërtiti: Jo, jo, nuk do i dëgjoj këto pa avokatin tim. Më pas hoqi kufjet nga veshët. Kush jeni ju? Ju nuk po më lejoni të marr frymë, tha Mlladiç, që ka kërkuar një tjetër avokat nga ai që i është caktuar. Më pas rojet e sigurisë e kanë nxjerrë jashtë seancës. Më pas gjykatësi lexoi 11 akuzat ndaj tij.