Haxhinasto: Opozita të bashkëpunojë, ndryshe do jetë vonë

Zv.kryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ka ftuar sërish opozitën të bëhet pjesë e reformave të rëndësishme në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ndërsa e cilësoi si të vonuar vendimin e opozitës për të hyrë në Kuvend vetëm gjatë muajit shtator.
Në një prononcim për mediat pas takimit me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi dhe ambasadoren polake Irena Tatarzinska, Haxhinasto se ekziston koha e mjaftueshme që Shqipëria të kualifikohet pozitivisht në opinionin e arshshëm të Bashkimit Euopian.
“Opozita duhet të jetë e angazhuar në trajtimin e të gjithë problematikave, ligjeve dhe reformave për të plotësuar prioritetet por nëse nuk do të vazhdojë dialogu sigurisht që situata do të jetë krejt ndryshe” theksoi Haxhinasto.
Haxhinasto gjithashtu e ka cilësuar si të gabuar vendimin e opozitës për të hyrë në Kuvend gjatë muajit shtator pasi vendi duhet të shkojë me një cilësi të re në mbledhjen e Këshillit të Europës në 19 korrik.
“Kthimi i opozitës në shtator është i gabuar, pasi në 19 korrik zhvillohet mbledhja Këshilli të asocimit. Ky është kontakti më i lartë ku do të bëhet një rishikimin i institucioneve dhe ecurisë së përmbushjes së prioriteteve dhe mendoj që në këtë moment Shqipëria duhet të shkojë me një cilësi të re të dialogut politik ndryshe do të jetë shumë vonë” theksoi Haxhinasto.
Më tej Haxhinasto u shpreh optimist se nëse Shqipëria angazhohet për përmbushjen e kritereve ka gjithë mundësitë për të pasur sukses në vlerësimin që do t`i bëhet gjatë muajit tetor nga Bashkimi Europian.