E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHENIM/ Kur Meta kërkon të mos shpëtojë me procedura

Kryetari i LSI, Ilir Meta, i ka shkruar një letër Gjykatës së Lartë, ku kërkon të hetohet dhe të mos bazohet vendimi për të tek shkelja e procedurave. Letra vjen pasi u bë e ditur se avokatët e Metës kishin ndërmend ta shpëtonin atë nga gjykimi, thuajse në të njëjtën rrugë si Lulzim Basha, pra për shkelje afatesh, pa i hyrë thelbit të çështjes. Meta e ka konsumuar këtë akt publik për të bërë një tjetër shfaqje para shqiptarëve. Edhe kur u bë e ditur se do kërkohej imuniteti i tij, ai bëri një tjetër shfaqje, pasi i deklaroi kryetares së Kuvendit se ai kishte lënë imunitetin?!! Dikush mund të thotë se me këtë që po bën Meta, po i tregon Bashës dhe të tjerëve se kanë bërë gabim që nuk janë hetuar në themel të çështjes. Por të gjithë e dimë se është vetëm një shfaqje e shëmtuar, që tregon shumë qartë se si e koncepton shtetin Meta. Ai kujton se ligjet e rregullat bëhen me letra, sms e me bllok në dorë. Jo, nuk bëhen kështu. Si në rastin kur tha se linte imunitetin, edhe në këtë rast, ai po tregon se nuk ka lidhje me shtetin ligjor. Nuk mund të tregojë ai se kur e lë imunitetin sepse ai duhet votuar, sikundër nuk mund tu tregojë gjyqtarëve se si e do hetimin. Këtë le ta bëjë me sms, jo me letra publike. Nëse Bashkimi Europian thotë se jemi bërë simbol i pandëshkueshmërisë, e ka fjalën këtu dhe për Bashën e Metën. Dhe kjo situatë ka vetëm një zgjidhje: ndëshkimin. Të tjerat janë fjalë që i merr era dhe nuk i beson kush.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›